Foto: Kallxo.com

Gjakovë, dënohet me 1,600 euro për ‘armën e gjyshit’

Valon Frrokaj është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 1600 euro për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, Frrokajt në mars të këtij viti gjatë bastisjes së shtëpisë nga policia, i ishte gjetur një pushkë ajrore, një pistoletë, municion dhe shufër metalike.

Gjykata e Gjakovës ka dënuar me gjobë të akuzuarin për posedim të paautorizuar të armëve.

Gjykata gjithashtu vendosi që Frrokajt t’ia konfiskojë pistoletën dhe pushkën ajrore.

Valon Frrokaj para gjykatës e pranoi fajësinë.

“Është e vërtetë se pushka ajrore është gjetur në dhomën time, ndërsa pistoleta ka qenë e gjyshit tim, i cili ka ndërruar jetë dhe unë e kam përdorur të njëjtën në një dasmë”, tha Frrokaj.

Ndërsa prokurori i rastit Armend Zenelaj nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari duke thënë që ka mbështetje në aktakuzën e Prokurorisë.