Seanca ndaj të akuzuarit per grabitje Albian Imeri - Gjakove - FOTO KALLXO

Gjakovë - Albian Imeri, i akuzuar për grabitje kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë

Albian Imeri, i akuzuar për veprën penale të grabitjes, kërkoi nga gjykata që të ketë negociata për pranim të fajësisë.

Bazuar në aktakuzë i akuzuari Albian Imeri bashkë me tani të dënuarit Mërgim Prushi, Ardenis Kameri dhe Kolë Ndreca dyshohet se kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Në gjykimin e sotëm mbrojtësi i të akuzuarit Imeri, avokati Regjep Gjikolli, kërkoj nga gjykata që t`i japë kohë për lidhjen e një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë dhe të njëjtën t`ia prezantojnë gjykatës.

Ndërsa prokurori Ali Uka, nuk e kundërshtoi këtë propozim nga ana e mbrojtjes dhe gjyqtari Shaqir Zika e ndërpreu seancën duke ju lënë kohë që të arrihet marrëveshja.

Në këtë rast nuk ishin prezent të dëmtuarit Sylë Sylmetaj dhe Ramë Shehu.

Në tetor të vitit 2015, me qëllim të grabitjes kishin hyrë të maskuar në dyqanin “Euro Eko”, pronë e Sylë Sylmetaj, dhe i pandehuri Albian duke përdorur sprejin i ishte drejtuar të dëmtuarit Sylmetaj me fjalët “qiti paret”, ndërsa i dëmtuari pas disa lëvizjeve i hedh disa pako të cigareve dhe i akuzuari Albian Imeri largohet nga dyqani thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se po atë ditë i pandehuri Albian Imeri me tani  tre të dënuarit, kishin hyrë edhe në marketin “Landi Star 3” pronë e Ramë Shehu, duke përdorur veprimet e njëjta kishin arritur t`i marrin 500 euro dhe më pas ishin larguar.