Gjakova, Komuna më Transparente

Komuna e Gjakovës është komuna më transparente në Kosovë, bazuar në “Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale”, dalë nga një hulumtim i realizuar dhe implementuar nga OJQ-ja “Ec ma Ndryshe” dhe financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe.

Prezantimi i këtij indeksi është bërë sot në Prizren, në një takim ku të pranishëm ishin kryetarë të komunave të Kosovës, ambasadori britanik Ruari O’Conell si dhe përfaqësues tjerë të mediave dhe shoqërisë civile.

Në prezantimin e “Indeksit të Reformës së Transparencës Komunale”, Fisnik Minci, njëri prej autorëve të këtij publikimi, ka thënë se Komuna e Gjakovës ka dalë të jetë dukshëm më e avancuar në shumicën e 13 indikatorëve matës, të cilët janë përdorur për grumbullimin e të dhënave dhe nxjerrjen e vlerësimeve për nivelin e transparencës.

Sipas Mincit, Gjakova ka pasur notë pozitive në 8 nga 13 indikatorët matës, 3 nota neutrale – mesatare dhe vetëm dy nota negative, gjë e cila as për së afërmi nuk ka ndodhur me komunat tjera.

Në këtë takim, pjesë e panelit ka qenë edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila edhe e ka komentuar rezultatin.

Ajo ka thënë se kjo është hera e tretë që Komuna e Gjakovës merr rezultate pozitive  nga vlerësime të tilla që bën shoqëria civile, pas vlerësimeve të mëhershme të dalë nga GAP-i dhe KDI-ja.

Kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka shtuar se ngritja e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies ka qenë njëri prej synimeve kryesore të qeverisjes lokale në Gjakovë dhe kësaj i është kushtuar rendësi gjatë dy viteve të para të kësaj qeverisjeje.

Niveli i lartë i transparencës së Komunës së Gjakovës është vlerësuar lartë edhe nga ambasadori britanik Ruari O’Conell, i cili ka thënë se Komuna e Gjakovës duhet të merret shembull edhe nga komunat e tjera, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kjo Komunë.