Mirënjohje për zv.presidenten e Rotary International, Jennifer Jones nga Komuna e Gjakovës - Foto: Facebook

Gjakova Bëhet me Qendër të Mamografisë

Gjakova është bërë me Qendrën e Mamografisë falë një donacioni të klubeve rotariane nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas Ruzhdi Bakallit, themeluesit të Klubit të Rotarianëve në Kosovë dhe njërit prej iniciatorëve kryesor për sigurimin e mamografit, ky është donacioni më i madh që rotarianët ndërkombëtarë e kanë sjellë deri më tani në Kosovë.

“U realizua ëndrra që më në fund me pru mamografin për nevojat e komunës së Gjakovës. Vlera e këtij donacioni është 130 mijë dollarë”, ka thënë ai.

E për rëndësinë e kësaj aparature ka folur edhe zëvendëspresidentja e Rotary International, Jennifer Jones, e cila edhe vet është e mbijetuar e kancerit të gjirit.

Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që gratë në Gjakovë dhe në Kosovë ta bëjnë diagnostikimin e hershëm për faktin se kjo është e vetmja mënyrë që garanton jetë të gjatë e të shëndetshme.

“Është një ndjenjë e veçantë për mua pasi që jam vet e mbijetuar qe 7 vjet nga kanceri i gjirit dhe mund të them që nga momenti që kjo pajisje të lëshohet në përdorim do të shpëtohen shumë jetë”, ka theksuar ajo.

rotary club 001

Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj Qendre ka marrë pjesë edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se aparati mamografik është i një rëndësie të madhe për faktin se diagnostikimi i hershëm përmes tij do të thotë një jetë e shpëtuar.

“Nëse vetëm edhe një jetë të vetme arrijmë ta shpëtojmë ky donacion e shpaguan veten. Prandaj unë e di se kjo pajisje do të shpëtojë shumë jetë të grave të komunës së Gjakovës dhe më gjerë dhe do të jetë një vlerë e shumëfishuar dhe një ngritje e shërbimeve mjekësore për të gjitha femrat e komunës së Gjakovës dhe më gjerë”, tha kryetarja e Gjakovës.

Po ashtu, Mimoza Kusari-Lila u kërkoi mantelbardhëve gjakovarë që këtë aparaturë ta ruajnë si sytë e ballit.

Vlera e mamografit, i cili është teknologji e dorës së fundit, është 130 mijë dollarë dhe me të mund të bëhen në minimum 50 incizime mamografike në ditë. Incizimet do të jenë gratis.