Gëzimi dhe Frika në Ditën e Çlirimit

Arif Abazi, një qytetar tregon për gëzimin dhe frikën që ka ndjerë njëkohësisht në ditën kur Prishtina kishte filluar të lirohej pjesërisht nga ushtria serbe.

“Ditë e vështirë sepse ngadalë forcat serbe kanë filluar të tërhiqen nga Prishtina edhe pse ende nëpër kafiteritë e Prishtinës ku zakonisht kanë frekuentuar serbët ka pasur ende serbë dhe prapë s’kemi qenë aq të sigurt për të dalë në rrugët e Prishtinës, mirëpo prapë kemi ndjerë një gëzim kur kemi parë forcat serbe duke ikur nga Prishtina,” rrëfen Abazi për KALLXO.com.

Ndërsa aktorit Luan Daka nga dita e para 17 vjetësh i kanë mbetur në kujtesë tanket britanike në Sheshin e sotëm “Zahir Pajaziti”.

“Kam qenë së bashku me një sportist të njohur, Xhevdet Pecin dhe tanket e Britanisë i kam parë para Hotel ‘Grand’-it. Për mua është një ditë e madhe, për të gjithë neve, është një prej datave më kulminante në historinë e popullit, kombit shqiptar. Është një ditë e paharrueshme,” tha Daka.

Ndërkaq, qytetari Arben Alushaj e vlerëson lirinë e sotme si diçka të papërshkrueshme, ndërsa për të gëzimin e shton edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në kampionatin evropian të futbollit.

“Liria është e papërshkrueshme për neve që i kemi përjetuar ato kohëra, tash është e papërshkrueshme. Sidomos sot me këtë ditë futbolli, sot që po presim të luajnë,” tha Alushaj.

Më 11 qershor 1999 forcat ruse nga Bosnja patën hyrë të parët në Prishtinë, duke bllokuar aeroportin, ndërsa pastaj nisi edhe hyrja e forcave britanike. Edhe njësitë e UÇK-së depërtuan drejt kryeqytetit, derisa forcat serbe kishin nisur tërheqjen.

Forcat e NATO-s nisën hyrjen në Kosovë dhe ato të Serbisë daljen prej saj pas Marrëveshjes së Kumanovës që u dha fund bombardimeve të Aleancës Veriatlantike mbi ish-Unionin Serbi Mali i Zi.

Megjithatë, përkundër gëzimit për ditën e çlirimit, qytetarët treguan pakënaqësi me gjendjen ekonomike dhe politike, duke thënë se nuk është ajo që e kanë pritur që do të jetë në liri.

KALLXO.com shkroi sot edhe aktivitetet e ditës së çlirimit të Prishtinës dhe mënyrën se si do të kremtohet ajo nga Komuna e Prishtinës.

http://kallxo.com/17-vjetet-e-lirise-se-prishtines/