Gratë boshnjake i gëzohen dënimit me burgim të përjetshëm të Ratko Mlladiqit - Foto: Rtv21

Gëzim në Mesin e Nënave dhe Bashkëshorteve të Viktimave të Gjenocidit

Britma gëzimi shpërthyen në mesin e grave, të tubuara në qendrën përkujtimore për viktimat e masakrës kundër mbi 7 mijë burrave e djemve boshnjakë, në momentin kur Tribunali në Hagë dënoi me burg të përjetshëm ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiqin, nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnjë.

Bashkëshortet, nënat dhe motrat e burrave dhe djemve të vrarë gjatë masakrës në Srebrenicë, përcollën seancën në Hagë nëpërmjet ekraneve dhe shpërthyen në britma gëzimi kur u lexua vendimi.

Mlladiqi 74 vjeçar u dëbua nga salla vetëm disa minuta para se të lexohej vendimi, pasi që filloi të akuzojë gjykatësit për gënjeshtra.

Vrasja e mbi 7 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në korrik të vitit 1995, pasi që u ndanë nga gratë, vajzat dhe fëmijët  dhe u transportuan me autobusë në drejtime të panjohura, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat serbe të kryesuara nga Mlladiqi, konsiderohet si masakra më e madhe në Europë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore./21Media