Gërxhaliu: Papunësia i Vetmi Kundërshtar

Në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës Gërxhaliu u takua sot me ministren e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajramin dhe ministrin e Ekonomisë dhe Financave Avdullah Hotin.

“Kemi pasur takim mjaft pragmatik ku u prekën çështjet që kanë të bëjnë me proceset ekonomike, çka duhet bërë që zhvillimi ekonomik të jetë prioritet dhe si të avancohen të arriturat, në veçanti sa i përket legjislacionit, realizimi i MSA-së,” tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu foli edhe për pakënaqësinë me situatën politike në vend, ndërsa deklaroi se nuk do të lejohet përmbysja e kamionëve.

Ai gjithashtu tha se të gjithë ata që janë të pakënaqur me situatën politike në vend, nuk do t’iu lejohen të dalin në autostradë dhe të rrëzojnë kamionët, pasi që është shkelje e vullnetit të bizneseve në Kosovë.

“Oda Ekonomike e Serbisë e njeh Odën Ekonomike të Kosovës dhe e njeh Kosovën. OEK nuk mund t’i mbyll sytë kur të ndodhë dhuna. Oda nuk pajtohet me dhunën. Paramendoni nëse hedhen gurë në bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë,” theksoi Gërxhaliu.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se me Gërxhaliun biseduan për përfitimet e bizneseve nga MSA-ja.

“Ne shfrytëzuam rastin që të bisedojmë edhe për projekte te tjera, pasi që siç e dini shumë shpejt fillon implementimi i MSA-së dhe me ketë rast MTI-ja ka filluar kampanjën e informimit të bizneseve për kërkesat dhe benefitet që dalin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje,” tha ministrja Bajrami.

Avdullah Hoti, Ministri i Financave, tha se takimi i sotëm është një vazhdimësi e takimeve dhe bashkëpunimit të mirë në mes të ministrive dhe OEK-ut.

Ai foli për investimet e planifikuara.

“Planifikojmë të investojmë rreth 520 milionë euro në projektet e ndryshme të cilat janë aprovuar në qeveri dhe të cilat shpejt do t’i mundësojmë të zbatohen përmes kredive ndërkombëtare për biznese vendore dhe ndërkombëtare dhe nëpërmjet partneritetit,” tha ministri Hoti.

Po ashtu, ai tregoi se është duke u përgatitur Ligji për bashkimin e Administratës Tatimore të Kosovës me Doganën e Kosovës dhe krijimi i Agjencisë së të Hyrave.

Për këtë bashkim Oda Ekonomike Amerikane diskutoi dje në një tryezë.