KALLXO 360: Gërmohet Lokacioni i Dytë afër Kishës Ortodokse

Edhe në ditën e dytë kanë vazhduar punimet në lokacionet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, ku dyshohet se ka mbetje mortore të të vrarëve gjatë luftës së vitit 1999.

Dyshimet e ngritura se ekzistojnë varre masive në kampusin e Universitetit të Prishtinës kanë sjellë vendimin për gërmim në 3 lokacione të shënjuara.

Gërmimet filluan dje në njërën anë të kishës së papërfunduar ortodokse dhe po vazhdojnë sot në anën tjetër.

Ndërkaq në ditët në vazhdim pritet të gërmohet edhe në pjesën prapa rektoratit të UP-së.

Në ditën e dytë të gërmimeve ende nuk ka rezultate apo të gjetura apo të paktën autoritetet nuk kanë njoftuar për ndonjë rezultat konkret.

KALLXO.com ka kontaktuar prokurorin e rastit, Elez Blakaj i cili ka thënë se nuk ka diçka konkrete dhe se autoritetet do të lajmërojnë sapo të gjejnë diçka të tillë.

Gërmimet në këto lokacione kanë filluar me urdhër të prokurorisë speciale pas dyshimeve të ngritura nga dëshmitarët.

http://kallxo.com/tri-vende-te-dyshuara-per-varreze-masive-ne-kampusin-e-se/