Geci Rrëfen Momentin Kur e Vrau Ruzhdi Shaqirin

Gani Geci ka dhënë versionin e tij për rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit, për çka ai po gjykohet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Fillimisht, Geci kërkoi të betohet para trupit gjykues rreth dëshmisë që do ta jepte.

Më pas ai rrëfeu momentin e ngjarjes tragjike të 4 gushtit të vitit 2014 në kafiterinë “N’Qosh” në Skenderaj ku mbeti i vrarë Ruzhdi Shaqiri.

“Kam qenë duke dalë në shkallë të lokalit për me dalë në shesh dhe kam dëgjuar një fjalë arabe ‘selam alejkum’ dhe jam kthyer e kam pa që me ka thënë Ruzhdi Shaqiri dhe jam tutë se Ruzhdiun s’e kam pa kurrë ne Skenderaj e as në kafiterinë ku kam shkuar unë”, tha Geci.

Më tej, Geci foli për bisedën e zhvilluar me tashmë të ndjerin Shaqiri.

“Dhe kam shkuar afër tavolinës dhe i kam thënë a i ke tubu pleqtë me m’bo be ku je konë me 19.10 dhe Ruzhdia e ka shtyrë tavolinën, nuk um ka lanë me përmend  datën 2001 dhe me njëren dorë e ka shty tavolinën dhe në atë kohë unë kam qenë ballë për balle me të dhe me ka thënë hup shko k… q… nënën dhe disa fjalë të tjera dhe e ka shtyre tavolinën, u mundu mu çu në këmbë dhe unë jam friku se e kam pa diçka si zi dhe thash nxjerri armë dhe unë jam hup s’di as çka kom bo”, tha Geci

Anëtarja e trupit gjykues Iva Nikshiq e pyeti për momentin e shkrepjes së armës dhe se çfarë ka bërë ky pastaj.

“Më vonë e kam kuptuar që 4, sepse 5 fishekë i kam pasë në armë kur kam mbërri në shpi aty e kam takuar nënën duke qajtur dhe me vonë kanë ardhur edhe vëllezërit edhe policia unë kam qenë në një shpi tjetër”, theksoi Geci.

Avokati i tij, Ndrec Dodaj e pyeti atë se pse nuk është larguar nga lokali pasi që ka qenë duke dalë, pse nuk i është shmangur takimit me Ruzhdi Shaqirin. Me këtë rast, Geci u përgjigj: “Unë edhe ma herët kur e kam pa Ruzhdi Shaqirin nuk ja kam kthy shpinën sepse atë e kam konsideruar si njeri të rrezikshëm dhe sja kam kthy shpinën kurrë”, shtoi ai.

Seanca e radhës, ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga prokurorja Lili Oprea Stalute, është caktuar për datën 26 të këtij muaji.

http://kallxo.com/sa-vjet-burg-rrezikon-gani-geci-nese-gjendet-fajtor/