Gazmend Muhaxheri kundër ndërtimit të hidrocentralit në grykën kryesore të Lumbardhit

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i është drejtuar ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në lidhje me takimin e thirrur dje nga MTI për diskutimin e projektit “Kelkos Energjia- Peja SH.P.K” për ndërtimin e hidrocentraleve për prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhit.

Muhaxheri në letër ka treguar se Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar Planin e Zhvillimit Komunal që ndalon çdo lloj investimi të tillë nga ky investitor, sepse siç thuhet në letër kjo kompani ka shkaktuar dëme të mëdha për ambientin në Grykën e Deçanit.

“Më lejoni që të ju njoftoj, se ky projekt është nga viti 2012-të, dhe ka marrë gjithë këtë kohë sepse, dokumentacioni i cili është miratuar në Komunën e Pejës, pra Plani i Zhvillimit Komunal, kategorikisht e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve ose projekteve për prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhit. Dhe duhet të kemi parasysh, se projektet të cilat janë zhvilluar në anën tonë, e sidomos në Grykën e Deçanit nga po i njëjti investitor, dëmet ambientale kanë qenë kolosale, kështu që ne kemi marrë veprimet tona dhe kemi stopuar çdo komunikim me investitorin”, thuhet në letrën e Muhaxherit.

Tutje në letër thuhet se Ministria ka njoftuar vetëm disa minuta para takimit Komunën e Pejës, ndërsa ka kërkuar që për zhvillimet e projekteve në këtë komunë të njoftohen pesë ditë përpara.

Ndër të tjera Muhaxheri në letër ka shtuar se nëse lejohet ndërtimi i këtij hidrocentrali do të bllokojë 25 kilometra dhe ky qytet ka shtyllën kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, turizmin në Grykën e Rugovës.

 

https://kallxo.com/planifikohet-investim-prej-225-milione-eurove-ne-energji/

.