Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Gazetari kosovar intervistohet për Gjykatën Speciale

Gazetari Nuhi Bytyçi ka njoftuar se është intervistuar nga Gjykata Speciale për veprimtarinë e tij si gazetar në Televizionin Shqiptar gjatë luftës së  vitit 1999.

“Pas kërkesës zyrtare me shkrim, që më është dërguar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, kam dhënë dëshminë lidhur me veprimtarinë time si gazetar gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka njoftuar Bytyçi.

Ai ka deklaruar se e gjithë dëshmia  e tij  ka qenë në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së.

“Puna ime si gazetar dhe si udhëheqës i ekipit televiziv të Televizionit Shqiptar në zonat e luftës, e prezantuar në TVSH dhe në mediat botërore përmes shumë emisioneve televizive, është dëshmia më e mirë e angazhimit tonë të pastër, e orientimit të drejtë dhe fisnik të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Bytyçi.

“Bazuar në këtë angazhim profesional dhe kombëtar në shërbim të lirisë së atdheut tim, e kisha të lehtë që edhe para Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të dëshmoj të vërtetën në mbrojtje të veprimtarisë sonë çlirimtare”, ka deklaruar tutje Bytyçi, duke u shprehur krenar që ka qenë pjesë aktive e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999

Bytyçi po ashtu është shprehur i gatshëm që në çdo kohë të dëshmoj të vërtetën e sakrificës gjithë popullore për liri dhe pavarësi.

“Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, ka përfunduar Bytyçi.

https://kallxo.com/zgjatet-lista-e-te-ftuarve-te-gjykates-speciale/