Gazetari i BIRN/Internews Kosova, Rrahman Ramaj, merr çmimin nga guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza - Foto: BQK
Gazetari i BIRN/Internews Kosova Fiton Çmim për Storie në Ekonomi
Storia “Pakoja Fiskale Dështoi të Ulë Çmimet për Qytetarët”, e publikuar në “Gazeta Jeta në Kosovë“, fitoi çmimin për storien më të mirë në shtyp – media të printuara dhe media elektronike në fushën e ekonomisë dhe sektorit financiar.
“Pakoja Fiskale Dështoi të Ulë Çmimet për Qytetarët” trajton efektet e pakos së re fiskale që hyri në fuqi në shtatorin e vitit 2015.
Pakoja e re fiskale e prezantuar nga Qeveria e Kosovës, e cila parashikohej të lehtësonte koston e jetesës për familjet me të ardhura të ulëta, si një prej qëllimeve kryesore të saj, ka dështuar duke mos dhënë rezultatet e pritura.
Vlerësohet se kjo pako ka ulur koston për bizneset, sidomos sa u takon lëndëve të para, por nuk ka arritur të ndikojë në uljen e çmimeve për konsumatorë.
Banka Qendrore e Kosovës u ka ndarë çmime edhe gazetarëve të mediave tjera si dhe ekonomistëve të rinj për punimet më të mira hulumtuese në fushën e ekonomisë dhe financave.
Në një ceremoni rasti të organizuar në ambientet e BQK-së, çmimet i ndau guvernatori Bedri Hamza.
Çmimin për storien më të mirë televizive me temën ”Rritja ekonomike e Kosovës “ e fitoi Faton Salihu nga RTK. Për storjen më të mirë në shtyp- mediat e printuara -mediat elektronike fituan Lulzim Ahmeti nga Telegrafi, Albert Spahiu nga Gazeta Ekonomia dhe Rrahman Ramaj nga Rrjeti për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
Guvernatori Bedri Hamza tha se BQK-ja tanimë e ka bërë traditë ndarjen e çmimeve për ekonomistët e rinj, aktivitet ky që ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues në fushën e ekonomisë në mesin e hulumtuesve të rinj.
Me tej ai theksoi se shtimi i punimeve të dorëzuara në vazhdimësi ka ngritur cilësinë e punimeve të dorëzuara nga kandidatët për këtë çmim, dhe kjo “është një garancë inkurajuese për kandidatët që të vazhdojnë të jenë pjesë e garave të tilla dhe të jenë pjesë e konkurrencës për këtë çmim”.