Slobodan Georgiev. Foto: BIRN.

Gazetari i BIRN-it njolloset si 'tradhtar' në një video në Twitter

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) kërkon nga autoritetet e Beogradit që të ndërmarrin veprime pasi redaktori i tyre në Serbi, Slobodan Georgiev, është etiketuar si ‘tradhtar’ në një video të publikuar përmes Twitter që shënjestroi edhe gazetarë të tjerë të pavarur.

BIRN i ka bërë thirrje policisë dhe prokurorisë që të ndërmarrin veprime pasi ishin bërë shpifje në një video online për redaktorin e BIRN Serbia, Slobodan Georgiev.

Video e cila është publikuar në Twitter, është një montazhë e deklaratave jashtë kontekstit të Georgiev të cilat pretendojnë se ai publikon gënjeshtra, duke njollosur kështu gazetarin e BIRN-it dhe mediumet e tjera hulumtuese serbe.

“Publikimi i kësaj video ishte përcjellë me numër të madh komentesh (në rrjete sociale) të cilat përmbanin kërcënime dhe fyerje”, thuhet në deklaratën e BIRN-it.

Gjithashtu duke e targetuar Georgievin, video tregon artikuj të tabloidit të cilat njollosin BIRN-in, qendrën e Gazetarisë Hulumtuese në Serbi, CINS, si dhe Rrjetin e Raportimeve të Krimit dhe Korrupsionit, KRIK.

Në montazhë gjithashtu përfshihen klipe të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Organizatat dhe individët të cilët janë cilësuar si kritikë ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë, zakonisht janë përshkruar në tabloidet pro-qeverisë sikur të ishin në një lidhje me liderët shqiptarë kundër Serbisë.

Video ishte postuar në një llogari në Twitter e cila mbante emrin Natalija Dugonjic, e cila besohet që nuk është llogari e vërtetë. BIRN nuk mundi ta verifikojë se llogaria i përkiste Dugonjiq-it.

Prokurori për krime kibernetike, Branko Stamenkoviq, të enjten tha për Insjader-in se prokuroria është duke “analizuar rastin për të parë nëse është i obliguar ligjërisht që ta hetojë”.

Gazetarë të tjerë hulumtues dhe Asociacioni i Gazetarëve në Serbi, UNS, gjithashtu kanë dënuar këtë video.

Kryeredaktori i KRIK, Strevan Dojcinoviq, e quajti “shembull i vizatimit të shënjestrës në kokën e dikujt”.

“Gjëja më e keqe është se Georgiev nuk ka mënyrë që ta mbrojë veten nga kjo situatë. E gjitha që mund të bëjë është të presë dhe të shpresojë që të mos takojë ndonjë të frustruar në rrugë, i cili do të ishte ndikuar nga kjo video”, ka shkruar Dojcinoviq në Twitter.

UNS tha se ishte “habitur nga përmbajtja fyese e kësaj video” dhe u bëri thirrje autoriteteve që të hulumtojnë dhe të dënojnë ata që e krijuan atë.

Sulmet ndaj BIRN-it nga tabloide pro-qeverisë u intensifikuan në vitin 2014, pas publikimit të një hulumtimi në kontratën e një linje ajrore mes Serbisë dhe UAE Etihad Airways.

Në një incident tjetër në shkurt të vitit 2019, policia serbe arrestoi një njëri për kërcënimin ndaj Georgiev-it, figurave opozitare dhe kritikëve të regjimit.

Në disa raste përgjatë viteve, BIRN ka raportuar për kampanja njollosëse në policinë e Serbisë por nuk është bërë e ditur se çfarë veprimesh janë ndërmarrë, nëse është ndërmarrë ndonjë.