Protesta e gazetarëve | Foto: KALLXO.com
Gazetarët Ndihen të Kërcënuar në Ditën e Tyre
Gazetarët protestuan sot në Prishtinë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit
“Fol, Mos u Tut”, “Drejtësi për Gazetarët”, “Ndal Mosndëshkueshmërinë” e “Më Paguaj Punën” ishin vetëm disa nga kërkesat që u shfaqën në protestën e sotme.
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Shkëlqim Hysenaj nxiti gazetarët që të mos heshtin.
“’Fol, Mos u Tut’, është motoja e këtij aksioni, protestës që po e zhvillojmë sot dhe përmes kësaj ne u bëjmë thirrje të gjithë gazetarëve të Republikës së Kosovës që të mos frikohen dhe të flasin, së pari për problemet që gazetarët i kanë në vendet e tyre të punës, së dyti të flasin pavarësisht presioneve, shantazheve apo edhe sulmeve të ndryshme që grupet e interesit mund t’i bëjnë në drejtim të gazetarëve”, tha Hysenaj.
Ai vitin 2016 e konsideroi vit me plot sulme ndaj gazetarëve, duke përfshirë edhe sulmin me bombë në RTK.
Hysenaj e konsideroi kërcënim direkt ndaj lirisë së shprehjes propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për futjen në kodin penal të neneve për shpifjen.
“Keni parë së fundi edhe iniciativën që ka ardhur nga Ministria e Drejtësisë e përkrahur nga Presidenti Thaçi, së paku kështu është thënë jo zyrtarisht, për ndryshimin e kodit penal dhe rikthimin e neneve që ne si komunitet i kemi kundërshtu. Normalisht që mobilizimi i organizatave joqeveritare dhe i asociacionit ka dërguar në atë që Ministria e Drejtësisë të tërhiqet nga propozimi i saj. Megjithatë dëmi është bërë, sepse kemi parë, kemi pasur një kërcënim serioz për të na e ngulfatë zërin e gazetarëve”, tha Hysenaj.
Ndërsa Budimir Niçiq, përfaqësues i gazetarëve serbë në Kosovë tha se gjendja e gazetarëve nuk ka ndryshuar që nga protesta e kaluar.
“Kemi rënë shumica e mediave në një apati u lejojmë politikanëve që ata të na tregojnë çka duhet të shkruajmë dhe për çka duhet të raportojmë dhe kjo është shumë e keqe”, tha Budimir Niçiq.
Ndërsa Imer Mushkolaj nga Këshilli i Medieve të Shkruara në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ua shpërndau të pranishmëve në protestë Kodin e Medieve të Shkruara të Kosovës, për t’u kujtuar gazetarëve përgjegjësitë që kanë.
Gazetarët protestuan edhe viteve të kaluara.
http://kallxo.com/gazetaret-tregojne-hallet-e-tyre-ne-qender-te-prishtines/
http://kallxo.com/gazetaret-me-heshtje-kerkojne-te-degjohet-keqtrajtimi-i-tyre/