Gati shtatë muaj pa u mbajtur seanca ndaj Haki Rugovës

Kanë kaluar gati shtatë muaj prej momentit kur Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të parit të Istogut, Haki Rugova.

Që nga prilli 2018, kur është ngritur aktakuza, e deri më sot Gjykata nuk ka arritur ta mbajë seancën e parë ndaj tij, ani pse sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës parashihet që shqyrtimi fillestar duhet të mbahet brenda 30 ditëve.

7 maji i këtij viti ishte dita e caktuar për fillimin e procesit gjyqësor ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, mirëpo me arsyen se nuk kishte angazhuar mbrojtës akoma seanca ishte shtyrë.

https://kallxo.com/haki-rugova-ende-pa-avokat-nuk-paraqitet-ne-gjykate/

Edhe seanca e 21 majit e caktuar për shqyrtim fillestar kishte dështuar të mbahej, kësaj here arsye ishte mosprania Haki Rugovës në Gjykatë, atë ditë Rugova ishte paralajmëruar se mund të sillej me dhunë në Gjykatë.

https://kallxo.com/shtyhet-serish-seanca-haki-rugova-rrezikon-te-sjellet-me-force-ne-gjykate/

10 shtatori ishte dita kur Haki Rugova u paraqit për herë të parë në Gjykatë dhe atë së bashku me  mbrojtësin e tij, avokatin Besnik Berisha. Edhe atë ditë dështoi seanca me arsyetimin se mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës dhe se i nevojitej kohë për t’i shqyrtuar të njëjtat.

Ndërsa edhe sot kur zyrtarisht pritej të fillonte procedura ndaj tij, pasi kishte angazhuar mbrojtës, ishte pajisur me shkresat e lëndës dhe përgatitur, dështoi sërish për shkak të një udhëtimi zyrtar të kryetarit të Istogut Haki Rugova.

Numri një i Istogut akuzohet për konflikt interesi, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews’ kundër Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të [Haki Rugovën] dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.

Më poshtë mund të gjeni Hulumtimin e Drejtësia në Kosovë, në lidhje me ketë rast.

https://kallxo.com/hulumtim-komuna-e-familjes-rugova/

www.kallxo.com