Gashi: Shoqëria duhet të ndërmarrë masa për të parandaluar veprime që cenojnë sistemin e drejtësisë

Sonte i ftuar në emisionin debatues, “Click” të RTV21, ishte Kreshnik Gashi nga BIRN, i cili në lidhje me rastin Blakaj u shpreh që nuk do të duhej ministri i Drejtësisë të qëndronte në Qeverinë e njëjtë me një kryeministër që një prokuror të shtetit e quan “hajn të pulave”.

“Një Ministër i Drejtësisë, për mendim timin nuk është dashtë me ndejtë në Qeveri me një kryeministër, i cili e quan një Prokuror të Shtetit në këtë formë e i cili ende nuk është faktu që ka pasë ndonjë keqpërdorim të detyrës së vetë zyrtare”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, tashmë është edhe presion politik për krejt prokurorët e shtetit të Kosovës, të cilët kanë me marrë atë lëndë, përcjell rtv21.tv.

“Tash është presion politik për krejt prokurorët e shtetit të Kosovës, të cilët kanë me marrë atë lëndë, po kanë marrë edhe lëndë të tjera ku i prekin interesat e njerëzve që janë rreth kryeministrit”, tha ai.

Gashi deklaroi që si shoqëri do të duhej të ndërmerrnim masa për ta parandaluar kryeministrin të bëjë veprime të tilla që e cenojnë drejtpërsëdrejti sistemin e drejtësisë.

Ish-prokurori special, Elez Blakaj në gusht të vitit 2018 dha dorëheqjen e tij për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve gjatë përpilimit të aktakuzës për rastin e veteranëve të luftës./21Media