Kreshnik Gashi - Foto: KALLXO.com

Gashi: Mungesa e sigurimit jetësor për policët nuk është e rastësishme

Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, tha sonte në emisionin “Click” të RTV 21, ku u diskutua rreth ngjarjes së sotme në Istog, se mosrealizimi i sigurimit jetësor të policëve nuk është i rastësishëm.

“Paramendojeni, punëtorët e Trepçës kanë sigurim jetësor, policët e Kosovës nuk kanë. Sepse shteti i Kosovës nuk i ka një shumë prej 3-4 milionë eurove me i nda secilit polic me ia garantu sigurimin jetësor. Në rast se ai humb një aftësi – me marrë një dëmshpërblim, në rast se ai vritet familja e tij me marrë një dëmshpërblim. Nuk është jo e rastësishme kjo punë, për shkak se në momentin kur policët kanë sigurimin jetësor e kanë një element shumë të rëndësishëm në jetën e tyre. Për policin është shumë e rëndësishme me ditë ku po e lë familjen dhe në çfarë gjendje po e lë familjen”, u shpreh Gashi.

Kreshnik Gashi tha gjithashtu që nëse do të kishte një sigurim jetësor për Policinë e Kosovës, njerëzit në politikë do të kishin pasur më shumë probleme.

Sipas tij kjo do të ndodhte për shkak se disa njësi do të tentonin të bënin karrierë dhe do të kishin shkuar një hap më tutje, do të kishin pasur disa arrestime, pasi që nuk do të ishin frikësuar më prej tyre si dhe nuk do të ishin brengosur se ku po e lënë familjen e tyre./21Media