Mirdita, Dobar Dan!

Gashi: Me udhëheq si Daqiçi e Vuçiqi në Serbi dhe Thaçi, Veseli dhe Haradinaj në Kosovë, s’ka ndryshim të teksteve të historisë

Në promovimin e librit të tij, “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit te Zi dhe Maqedonisë”, autori Shkelzen Gashi, ka thënë se me këta liderë politik të Kosovës dhe Serbisë, është e pamundur të ndryshohen tekstet e historisë.

Ai ka përmendur udhëheqësit e Serbisë të cilët i kanë shërbyer Millosheviqit, e në Kosovë ka përmendur liderët e shtetit të cilët sipas tij janë të dyshuar për krime luftë.

“Nuk mundet me pas ndryshime të teksteve mësimore të historisë përderisa dy vendet si Kosova edhe Serbia udhëhiqen prej këtyre njerëzve që udhëhiqen. Përderisa Serbia udhëhiqet prej Aleksandër Vuçiqit që ka qenë një prej pjesëtarëve me të rëndësishëm të Partisë Radikale Serbe”, tha ai.

Gashi përmendi liderët kosovarë, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli për të cilët tha që prej asnjërit nga ta nuk mund të presim iniciativa për ndryshim të historisë duke e marrë parasysh të kaluarën e tyre.

“Prej presidentit Hashim Thaqit, që siç e thotë raporti i Dik Martit, një raport i Këshillit të Evropës e që flet për përfshirjen e presidentit të Kosovës në krime të tmerrshme jo vetëm kundër serbëve por edhe civilëve të tjerë që jetojnë në Kosovë. Apo, prej një kryeministri siç është Ramush Haradinaj i cili dy herë ka qenë në proces gjyqësor në Tribunalin e Hagës ose prej kryeparlamentarit Kadri Veselit i cili për 10 vite e ka udhëhequr një organizatë e cila sipas raporteve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare ka qenë një organizatë kriminale”, tha ai.