GAP: Më Shumë Buxhet për Institucionet

Ky institut rekomandoi të ketë rritje të buxhetit për disa institucione dhe agjenci publike, si  Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë, ndërsa më shumë para tha se duhen edhe për reformimin e administratës publike.

GAP-i rekomandimet i dha në debatin me temën “A garanton Buxheti 2016 një raport më të mirë të Komisionit Evropian për Kosovën?”, ndërsa paraqiti raportin për kapacitetet buxhetore kosovare për një raport më të mirë progresi këtë vit.

Ramadan Ilazi, zëvendësministri i Ministrisë për Integrim Evropian, tha se fokusi kryesor nga institucionet publike për përmbushjen e kritereve për anëtarësim është zbatimi i MSA-së dhe për këtë është aprovuar dhe Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

“Pikat ku kërkohet përmirësim më i madh janë transparenca buxhetore dhe përputhja e planifikimeve buxhetore me strategjitë afatgjata zhvillimore. Ashtu siç janë marrë deri më tani në konsideratë rekomandimet dhe vërejtjet e organizatave të shoqërisë civile, po ashtu edhe në proceset në vijim Ministria e Integrimit Evropian do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me sektorin joqeveritar”, tha zëvendësministri Ilazi.

Përfaqësuesi nga Ministria e Financave, Salvador Elmazi, tha se shumë nga sfidat dhe problemet e identifikuara në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën janë adresuar në Planin Qeverisës për vitin 2016.

“Si sukses për këtë periudhë janë politikat e reja fiskale, veçanërisht largimi i ndikimit të politikës ditore nga projeksionet fiskale, adaptimi i rregullit financiar i cili ndërlidh rritjen e pagave në sektorin publik me rritjen e gjithëmbarshme ekonomike si dhe fillimi i raportimit të statistikave financiare konform kërkesave të FMN-së,” tha Elmazi.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, tha se duhet të bëhet ngritja e kapaciteteve mbikëqyrëse të Kuvendit duke përfshirë edhe rritjen buxhetore, me qëllim të kryerjes së detyrave shtesë që dalin nga MSA-ja.

Gjithashtu, ajo rekomandoi edhe shikimin e mundësive për përdorim më efikas të Fondeve të Para-anëtarësimit  IPA dhe donacioneve tjera, pasi që jo të gjitha shpenzimet mund të mbulohen me buxhetin e shtetit.

Thomas Gnocchi, përfaqësues nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, tha se pjesa më e madhe e kërkesave për Kosovën në Raportin e Progresit nuk kërkojnë buxhet, por vullnet politik për t’u zgjidhur.

“Ka shumë sfida të tjera të cilat pa burime financiare nuk mund të tejkalohen. Edhe pse ka një përmirësim në buxhetin e institucioneve gjyqësore, prapëseprapë mbeten sfida të mëdha buxhetore në këtë fushë,” tha Gnocchi.

Ai po ashtu tha se për shkak se buxheti është i kufizuar dhe sfidat vazhdojnë të janë të mëdha, atëherë nevojitet prioritizim më i mirë i politikave, me qëllim që së pari të adresohen sfidat më të mëdha, pasi që zgjidhja e tyre bën dallim thelbësor.

[interaction id=”56e98cbb703e265d184b089c”]