Analiza për TVSH-në

GAP: Ligji i TVSH-së po i Varfëron Qytetarët

Në konferencën e GAP-it ku u prezantua analiza e Ligjit të ri për TVSH-në, Nora Latifi-Jashari tregoi në fillim se çfarë përfshin analiza.

Kjo analizë e Institutit GAP përmban një përmbledhje të ndryshimeve kryesore të Ligjit të ri për TVSH, analizon efektet e shkallës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind në të hyrat buxhetore dhe çmimet e konsumit si dhe në të njëjtën kohë i analizon efektet e këtyre të hyrave në çmimet e konsumit për ngritjen e TVSH-së nga 16 në 18 për qind,” tha Latifi-Jashari.

Analisti i politikave në GAP Berat Thaçi, tha se ulja e TVSh-së në 8 për qind, nuk ka ndikuar në të hyrat e Doganës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës e ka ulur në një pjesë të vogël të produkteve të konsumit, kryesisht produkte ushqimore dhe shërbime publike , e ka ulur TVSH-në nga 16 për qind në 8 për qind. Ky ndryshim nuk I ka ndikuar të hyrat e doganës, kjo për arsye se importi në këto produkte për të cilat është ulur TVSH-ja   është rritur dukshëm edhe njëkohësisht humbja është kompensuar me aplikimin e TVSh-së prej 8 për qind në barna,” tha Thaçi.

Sipas Thaçit, Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nuk ndikoi në uljen e çmim it të të gjitha produkteve të cilave iu zbrit TVSH-ja nga 16 në 8 për qind.

“Nëse shikojmë efektin në çmimet e të uljes së TVSH-së nga 16 në 8 për qind, atëherë vërejmë se jo te të gjitha produktet në të cilat është ulur TVSh-ja, janë ulur edhe çmimet e konsumit. Gjithashtu ulja në disa produkte nuk ka qenë e qëndrueshme, do  të thotë nga shtatori deri në fund të vitit nuk kemi pas një trend të njëjtë të uljes së çmimeve,” tha ai.

Thaçi tha se në bazë të analizës del se përshkallëzimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nuk është instrument i përshtatshëm për ulje të çmimeve e as për shpërndarje të të hyrave.

Ai deklaroi se Dogana  si pasojë e rritjes së TVSH-së nga 16 në 18 për qind arkëtoi 68 milionë më shumë në periudhën janar-gusht 2016 krahasuar me vitin e kaluar.

Me rritje të të hyrave ishte edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që sipas GAP-it ka mbledhur rreth 6.5 milionë euro vetëm në periudhën shtator-dhjetor  nga produktet në të cilat është aplikuar TVSh e ngritur.

Berat Thaçi tha se të hyrat e këtyre institucioneve mbushen nga buxheti i qytetarëve, ndërsa bëri të ditur se me Ligjin e ri për TVSH-në buxheti i qytetarëve do të varfërohet, ndërsa ai i shtetit do të rritet.

GAP-i rekomandoi që me qëllim të nxitjes së investimeve Ministria e Financave të lirojë nga TVSH-ja në transaksionet financiare për kompanitë që marrin kredi nga kompanitë amë, të zbatojë pushimet tatimore për nxitje të investimeve, rritje të numrit të inspektorëve tatimorë, të zgjerohet lista e produkteve të IT-së me TVSH të reduktuar.

Sipas GAP-it, TVSh-ja është rritur për mbi 5 mijë produkte, ndërsa është liruar për rreth 300.

Gazeta Jeta në Kosovë në korrik të këtij viti analizoi pakon e re fiskale duke ardhur në përfundim se ajo nuk uli koston e jetesës për familjet me të ardhura të pakta.

Pakoja Fiskale Dështoi të Ulë Çmimet për Qytetarët