GAP: Ligjet Nuk po Zbatohen Plotësisht

Mungesa e burimeve të kualifikuara njerëzore, kufizimet financiare, mungesa e konsultimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, mospërputhshmëria dhe dykuptimësia e ligjeve, si dhe mungesa e llogaridhënies dhe përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve komunalë janë disa nga shkaqet që Instituti GAP ka identifikuar në moszbatimin e plotë të ligjeve në vend.

Bekim Salihu, hulumtues i këtij instituti, në prezantimin e raportit “Zbatimi i ligjeve nga komunat”, tha se mospërfshirja e komunave në procesin e hartimit të ligjeve si dhe mosbashkëpunimi i nivelit lokal me atë qendror po sjellë shpesh ndryshime dhe plotësime të ligjeve.

“Ekzistojnë konflikte të kompetencave në zbatimin e ligjeve. Mund ta përmendim Ligjin për Inspektoratin dhe Mbikëqyrjen e Tregut. Edhe gjashtë vite pas miratimit të këtij Ligji, në disa komuna Inspektorati i Tregut udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në disa komuna tjera ky Inspektorat drejtohet edhe nga Komuna dhe nga MTI, mirëpo në disa komuna ky organ është komunal”, tha Salihu.

Ai gjithashtu tha se kjo gjendje ekziston në lidhje me kompetencat që kanë të bëjnë me menaxhimin e pyjeve.

Naim Ismaili, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se procesi i zbatimit të ligjeve është kompleks.

“Procesi i zbatueshmërisë së ligjeve është më kompleks. Nuk është vetëm jodëshira apo jogatishmëria e pushtetit lokal për t’i zbatuar këto ligje, por është cilësia e ligjeve në kuptimin e nxjerrjes së tyre, pastaj zbërthimi i ligjeve në akte nënligjore, që është një obligim i ministrive të linjës që ta bëjnë këtë dhe mbi të gjitha është mungesa e burimeve që lidhen kryesisht me burimet financiare”, tha Ismaili.

Ndërsa, Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, tha se legjislacioni është i adaptueshëm por jo i zbatueshëm.

“Në përgjithësi konsiderohet se kemi një legjislacion të adaptum mirë, por kemi telashe me zbatimin e tij. Këtë duhet ta themi hapur se në një mënyrë apo tjetër kemi problem”, u shpreh Pajaziti.

Në fund, Agron Maxhuni nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, tha se përveç pamjaftueshmërisë financiare, mosdefinimi i drejtë i akteve nënligjore dhe mungesa e kompetencave, moszbatueshmëria e plotë e ligjeve qëndron dhe tek ndikimi politik.

Nga 402 ligje që janë aktualisht në fuqi në Kosovë 52 prej tyre nxjerrin obligime për nivelin lokal.

Ky hulumtim është zhvilluar në 32 komuna të Kosovës, ku janë intervistuar 140 drejtorë dhe zyrtarë të lartë të komunave.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se moszbatimi i ligjeve është më i theksuar në fushën e administratës publike, atë të shërbimeve publike dhe atë të urbanizmit.