Ganimete Musliu – Driton Çaushit: Po Bënë Hipokrizi për Mishin e Prishur

Deputeti i Grupit të Pavarur dhe deputetja e PDK-së replikuan për skandalin me mishin e prishur. Musliu i tha Çaushit se po bënë hipokrizi me këtë temë, pasi siç tha, e ka propozuar e para ajo.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Driton Çaushi tha se është shokuese se si nuk ka pasur asnjë reagim nga Kryeministri e Ministri i Shëndetësisë për skandalin me mishin e prishur, duke kërkuar shkarkim të shefit të AUV-it.

“Duhet shkarkim i menjëhershëm i kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe Bordit Menaxhues, si dhe nisjen e hetimeve nga prokuroria për aktivitetin e këtij agjencioni”, tha Çaushi.

Ai shtoi se AUV është në shërbim të bizneseve dhe jo të qytetarëve.

Por, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i tha Çaushit së po bënë hipokrizi me këtë temë.

“Para një muaji kam bo kërkesë për skandalin e mishit, ndërsa një javë pas Grupi i Deputetëve të Pavarur e kanë kopju idenë dhe kanë bo kërkesë për debat”, tha Musliu.

Ajo shtoi se nuk është problem pse, siç u shpreh i’a kanë kopjuar idenë, por siç tha, pse deklarimet po bëhen për konsum publik.

“Dhe sot kur e kemi në rend dite këtë temë, qohet [Driton Çaushi] kishe unë po foli ma i pari në Kuvend dhe kishe po thom diçka për mishin”, tha ajo.

Musliu tha se foltorja nuk duhet të keqpërdoret për një votë.

“Nëse mendoni që çdo temë duhet të bëhet vetëm për politikë ditore dhe për të marrë një votë, asnjë problem nuk mund të zgjidhet”.