Gani Dreshaj, AAK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Gani Dreshaj Kërkon Rinumërim të Votave

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Gani Dreshaj, është ndarë i pakënaqur me rezultatin pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të djeshme.

Dreshaj po kërkon rinumërim të të gjitha votave, të të gjitha kutive ngase, sipas tij, fitorja është e tij dhe “e tillë do të mbetet”.

“Istogu dy herë ka votuar për fitoren tonë. Një herë lejuam që të na vidhet fitorja, më kjo nuk do të tolerohet”, ka shkruar Dreshaj në profilin e tij në “Facebook”.

Rezultatet që KQZ i nxori sot sipas Dreshajt janë tërësisht të papranueshme dhe mënyra se si vepron KQZ “është skandaloze”.

“Mbrëmë Istogu festoi shlirimin e dytë nga bandat e LDK-së pas rezultateve zyrtare tonat që ishin të konfirmuara edhe në faqen e KQZ-së”, tha ai.

“Sot, presioni i LDK-së bëri që rezultatet të ndërrohen pa asnjë shpjegim, madje KQZ nuk pati asnjë kërkim falje për “gabimet” që thanë se i kanë bërë”, ka theksuar Gani Dreshaj.

Siç raportoi KALLXO.com, pas rinumërimit të votave me kusht dhe atyre me postë për kryetar të komunës së Istogut ka fituar kandidat i LDK-së, Haki Rugova.

Rugova mori vetëm 15 vota më shumë se rivali i tij nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së që u dhanë mbrëmë, kandidati i AAK-së Gani Dreshaj kishte dalë fitues.

Ndryshe, qytetarët e komunës së Istogut votuan dje për kryetarin e tyre.

Në garë ishin Haki Rugova dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Votimi i djeshëm është përsëritje e balotazhit të 19 nëntorit.

Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.