Fusnota Pengon Kalimin e Marrëveshjes për Fondin

Pas më shumë se një ore debat, nuk kaloi në Kuvend Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë marrëveshje Kosova paraqitet me fusnotë, ndërsa për këtë arsye ajo nuk u votua nga deputetët e opozitës.

“Vetëvendosja” në Kuvend propozoi që deputetët të dalin me një deklaratë në të cilën konstatojnë se e njohin Kosovën si Republikë dhe jo si Kosovë me fusnotë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, kërkoi pauzë për t’u dakorduar me partitë tjera në formulimin e deklaratës së propozuar nga VV-ja, në këmbim të votave për marrëveshjen.

Para se të votohej për këtë marrëveshje, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj shumë herë doli në foltoren e Kuvendit për t’u kërkuar deputetëve ta ratifikojnë atë.

Madje ai pranoi edhe propozimin e “Vetëvendosjes” për një deklaratë të përbashkët në lidhje me fusnotën.

Kërkesa e VV-së për deklaratë të përbashkët iu duk veprim populist deputetit Ilir Deda.

Ai propozoi që Kuvendi ta ratifikojë marrëveshjen, ku në tekstin e projektligjit, jo të marrëveshjes, shkruan se Kosova është Republikë dhe u referohet ligjeve të saj.

Me këtë u pajtua edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Megjithatë, Kuvendi shkoi në pauzë 15 minuta me pajtimin e shefave të të gjitha grupeve parlamentare për t’u dakorduar rreth tekstit të propozuar nga VV-ja.