Ndërtesa e re e komunës së Fushë Kosovës, e financuar nga BE. Foto: Kallxo.com

Fushë Kosova Ende në Pritje të ‘Strehës’ së re Komunale

Duket se ka mbetur çështje javësh që komuna e Fushë Kosovës të bëhet me strehë të veten, pas shumë vitesh të funksionimit të administratës komunale në një objekt të vjetruar si dhe në ndërtesa të tjera të huazuara.

Për shumë vjet, kjo komunë është detyruar t’i ndajë rreth 16 mijë euro në muaj nga buxheti i saj i vogël në pagesë të qirasë për t’i bërë vend administratës.

Një ndërtesë e re e komunës e nisur në nëntor të vitit 2011 nuk është kryer ende për shkak të problemeve që kishin dalë me kontraktuesit pas nisjes së punimeve.

Ndërtesa e financuar nga BE pritet t’i dorëzohet komunës brenda dy javësh, ka thënë për KALLXO.com, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

Krahas Fushë Kosovës, BE ka financuar edhe ndërtimin e tri ndërtesave të komunave tjera në Podujevë, Vushtrri dhe Obiliq.

Zyra e BE-së tha se ka vendosur që ta shtyjë afatin e implementimit deri në fund të shtatorit 2017 për përfundimin e ndërtesave si dhe ka dhënë 12 muaj të tjerë si periudhë garantuese.

“Ky vendim është marrë pasi një vlerësim i ndërtesave ka treguar që meqë ato janë lënë të papërfunduara për një kohë të gjatë, shumë punime duhet të përmirësohen”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

“Ne kemi dashur që të sigurohemi se të gjitha çështjet janë adresuar dhe se punët janë bërë me standardet më të larta”, tha kjo Zyrë.

Sipas saj, implementimi i projektit është vonuar edhe për shkak se aplikimi i autoriteteve kosovare për lidhje të objekteve me shërbimet publike (energji elektrike, ujë dhe kanalizim) ka marrë më shumë kohë se që është pritur.

Projekti i filluar në nëntor 2011 për ndërtimin e ndërtesës së re të komunës së Fushë Kosovës i ka kushtuar Zyrës së BE-së rreth 1.1 milion euro.

Ky projekt parashihej të përfundonte në shkurt të vitit 2013 me një periudhë garantuese shtesë prej 12 muajsh. Por meqë kontraktuesi kishte ndërprerë punët njëanshëm, në maj të vitit 2013 Zyra e BE-së e kishte njoftuar atë për ndërprerje të kontratës, ndërkohë që ishte gjetur një kontraktues i ri për vazhdimin e punimeve.

Zyra e BE-së kishte thënë më herët se para se ta ndërpriste kontratën me kontraktuesin e parë, kishte provuar që të negociojë me të dhe ky proces kishte marrë një kohë të gjatë.