Fusha e ambientit pjesë e fondeve IPA 2019-2020 

IPA 2019-2020 do ta përfshijë kësaj here edhe fushën e ambientit.

Këtë e bëri të ditur Luigi Brusa, kreu i sektorit për bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, një takimit fillestar për IPA-n për 2 vitet e ardhshme.

Brusa tha se 200 milionë euro të BE-së janë dedikuar për IPA 2019-2020. Ai tregoi se programi i financimit për shtetet kandidate potenciale që ndahet për Kosovën kësaj here do të përfshijë fusha si demokracia dhe sundim të ligjit, konkurrueshmëria, bujqësia dhe ambienti.

Shefi i sektorit të bashkëpunimit, tregoi se afati i fundit i ministrive për t’i paraqitur projektet është fundi i korrikut, ndërsa bëri thirrje që ato të jenë konkrete në kërkesat e tyre.

“Duhet të dalin me ide që janë të qarta identifikimi i nevojave e objektivave… Të tregojnë qartë se kush janë përfituesit e kush çfarë bën”, u shpreh Brusa.

Po ashtu, ai i bëri apel ministrive që të kenë kërkesa të plota për IPA.

“Nuk mund të drejtohet ministria (me kërkesa) nga dy herë”, tha ai

Ministja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, tha se duhet të fillojë negocimi me BE-në rreth objektivave konkrete të ministrive.

“Tani është koha që të nisim një dialog mes institucioneve të Kosovës dhe BE-së që t’i përcaktojmë prioritetet të cilat na ndihmojnë në rrugën drejt procesit të integrimit”, u shpreh ajo.