Grumbullimi i parë i lojtarëve të Kosovës para ndeshjes kundër Kroacisë. Foto: Kallxo.com

Furtuna ‘Dardane’ Nis nga Drenasi

Stadiumi në Drenas i ka mbledhur sot lojtarët e përfaqësueses së Kosovës në futboll të cilët janë grumbulluar për ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2016”.

Federata e Futbollit e Kosovës është pranuar në pranverë të këtij viti për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare ndërsa Kosova ka nisur fushatën e kualifikimeve muajin e kaluar me një barazim historik si mysafire kundër Finlandës (1:1).

Grumbullimi i lojtarëve të Kosovës është shfrytëzuar nga liderët e institucioneve të vendit që në ditën e parë të stërvitjeve.

Kryeministri Isa Mustafa ka qenë i pari që ka vizituar lojtarët në stadiumin e Drenasit, ndërsa pas tij aty ka shkuar menjëherë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

I pari i Kuvendit u premtoi lojtarëve të Përfaqësueses së Kosovës një shumë prej 100 mijë euro për çdo lojtar nëse ata arrijnë ta kualifikojnë Kosovën në kampionatin botëror të vitit 2018.

Tifozë të shumtë ishin mbledhur të hënën pasdite në tribunat e stadiumit për ta përcjellë stërvitjen e parë të përfaqësueses së Kosovës, tri ditë para ndeshjes me Kroacinë.

Ndeshja të cilën zyrtarisht Kosova e zhvillon si vendase, do të luhet në stadiumin e Shkodrës “Loro Boriçi” meqë Kosova nuk ka ende një stadium të pranuar nga FIFA.

Djemtë e përfaqësueses kosovarë gjetën kohë që të japin edhe autografët e tyre në bluzat e “Dardanëve”, të cilët kishin ardhur që të përkrahin ata.

“Po ua japim fjalën, mos u ngarkoni psikologjikisht, sepse edhe kjo mund të jetë ngarkesë, por sidoqoftë kjo do të ndodhë nëse ju arrini suksesin. Atë që e kemi deklaruar në aeroport, 100 mijë euro për secilin lojtar po flasim për secilin në kualifikim”, tha Veseli.

Ai shtoi para lojtarëve se do të jetë në vazhdimësi duke i përkrahur djemtë e përfaqësueses, ndërsa nuk hezitoi edhe që të marrë topin dhe të gjuajë drejt golit.

Portieri i përfaqësueses së Kosovës u tregua më i suksesshëm se Veseli.

Milot Rashica, lojtari i përfaqësueses kosovare, i cili luan në Holandë për skuadrën e Twentes, tha se ndjehet mirë nga kjo atmosferë ndërsa shtoi se do të jap maksimumin prej vetes.

“Së pari atmosfera është shumë e mirë kjo ka qenë dita e parë e stërvitjes kemi edhe dy ditë tjera të përgatitemi sa ma mirë. Normal të gjithë e dimë se çfarë kualiteti ka Kroacia por ne sikurse ndeshjen e parë do të mundohemi të japim më të mirën”, tha Reshica.

Selektori i përfaqësueses, Albert Bunjaki, tha se atmosfera në përfaqësuese është e mirë ndërsa shtoi se pret lojë shumë të mirë të enjten.

“Situata është shumë e mirë, kemi dy kundërshtarë, me Kroacinë pres një lojë me intensitet të lartë, një lojë fizikisht, një lojë që shpresoj se vetvetiu edhe me kërkesat, energjinë e tifozëve e cila do të krijohet edhe energjinë e lojtarëve të Kroacisë, pres të jetë një lojë shumë e mirë”, tha Bunjaki.