Fundi i 'Dardanëve' të Nexhat Dacit

Ndarja e LDK-së në dysh i kushtoi asaj me kalimin në opozitë në zgjedhjet e vitit 2007 ndërsa vendimi i KQZ-së për çregjistrimin e LDD-së është marrë dy ditë para se LDK ta festojë 26 vjetorin e themelimit.

Vendimi për çregjistrimin e partisë është marrë dje nga KQZ dhe është nënshkruar nga kryesuesja e këtij komisioni, Valdete Daka.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e KQZ-së të nënshkruar dje, në të cilin thuhet se kjo parti është çregjistruar për shkak se nuk ka përmbushur obligimet që dalin nga Ligji për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike për mbajtjen e kuvendit zgjedhor të partisë brenda kohës së parashikuar.

Gjithashtu KQZ në vendim thotë se ka gjetur që LDD nuk e ka respektuar vendimin e këtij institucioni të marrë në tetor të këtij viti për pezullim në mënyrë që kuvendi të mbahet brenda 45 ditëve.

Vendimi për çregjistrimin e LDD-së
Vendimi për çregjistrimin e LDD-së

“Kryetari dhe organet drejtuese të partisë LDD edhe pas marrjes së vendimit për çregjistrim nga ana e KQZ-së vazhdojnë të jenë përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe obligimet e krijuara gjtë periudhës së të qenit aktivë”, thuhet në vendim.

LDD u krijua në fillim të vitit 2007 pas çarjes së madhe të LDK-së në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur në fund të vitit 2006 të njohur si “Kuvendi i karrigeve” për shkak të përleshjeve gjatë punimeve të tij.

Atëbotë, Nexhat Daci u largua nga LDK pas zgjedhjes së Fatmir Sejdiut në krye të partisë dhe shkarkimit të tij nga pozita e kryetarit të Kuvendit, pak javë pas vdekjes së Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.