FSK-Në Pritje të “Ditës D”

“Jemi duke pritur vetëm vendimin politik,” tha komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Për afër dy orë Rama, raportoi para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për raportin vjetor të punës për vitin 2015.

Sipas tij, FSK-ja ka punuar me ekipet profesionale nga ShBA-të për afro tre vjet në këtë proces të planifikimit për transformim, duke shtuar se “kurdo që vjen ‘Dita D’, ose kurdo që merret vendimi politik ne do t’i qasemi këtij planifikimi dhe jemi në finale të draftit të planifikimit afatgjatë”.

Prioritet i parë për këtë vit tha se është komanda e doktrinës.

Sa i përket punës së FSK-së për vitin që lamë pas, Rama tha se 4 nga 6 objektivat janë përmbushur në tërësi, ndërsa për dy të tjerë po punohet ende.

Rama foli për gjërat për të cilat FSK-ja u kujdes vitin e kaluar.

“Mirëmbajtja e kapaciteteve operacionale dhe gatishmëria e përgjithshme e FSK-së, mbështetja e institucioneve dhe organizatave joqeveritare, por edhe komuniteteve, bashkëpunimi me partnerët tanë por ekskluzivisht me partnerin tonë Gardën Nacionale të Ajovas, por edhe me ekipet e respektuara që i kemi brenda përbrenda institucioneve,” ishin disa nga punët e FSK-së.

Një prej objektivave sipas komandantit të FSK-së, ka qenë edhe bashkëpunimi me vendet e regjionit në implementimin dhe rekomandimet e rishikimit të sektorit të sigurisë, por edhe objektivi i gjashtë funksionimi i Njësisë Regjionale të Kërkim-Shpëtimit dhe Qendrës së Ekselencës.

Ai tha se vitin e kaluar janë rekrutuar 28 kadetë të rinj, derisa përmendi disa trajnime të pjesëtarëve të FSK-së nëpër vende të ndryshme të botës.

Gjatë raportimit Rama u ballafaqua edhe me pyetjet e anëtarëve të Komisionit, u pyet nëse FSK-ja u ofron kritere të barabarta edhe komuniteteve.

“Tani 8.2 për qind e pjesëtarëve janë komunitete dhe se FSK ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës,” tha Rama.

Rama foli edhe për trajnime bazike, specialistike.

“Kanë përfundu 165 trajnime për 165 pjesëtarë, 122 pjesëtarë kanë përfundu trajnimet në shkollat e NATO-s, trajnime me ShBA-të 85, shkollime afatgjate-38 kadetë në disa vende anëtare të NATO-s,” tha Rama.

Rama foli edhe për çminimin.

“Gjatë vitit 2015 njësitë që ne i kemi në shërbim 24 orë varësisht nevojave dhe thirrjeve të qytetarëve, i kemi pasë diku 301 raste që kemi intervenu dhe i kemi demolu diku 441 mjete eksplozive,” tha Rama.

Komandanti i FSK-së tregoi edhe prioritetet për vitin 2016. Përgatitja për transformim është njëri prej tyre. [interaction id=”56e03f3736e5105a3a89a490″]