FSK në një 'Fazë Thelbësore' të Zhvillimit

Ramadani përgëzoi FSK-në për të arriturat e përgjithshme gjatë vitit 2017

Qeveria e Kosovës dhe MFSK-ja po punojnë me përkushtim në përmbylljen e suksesshme të procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke ofruar kështu një mundësi me vlerë të veçantë për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Kështu u tha sot në ceremoninë e fillimit të mbajtjes së kurseve për pjesëtarët e FSK-së, për vitin shkollor 2018, në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), të FSK-së në Ferizaj.

Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, përgëzoi FSK-në, për të arriturat e përgjithshme gjatë vitit 2017, duke shprehur përkushtimin për avancimin, ngritjen, trajnimin dhe profesionalizimin e institucioneve të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ngjarja e sotme është një hap i madh për dëshminë e suksesit të FSK-së. Ministria jonë është në mbështetje të plotë të secilës fushë, duke përfshirë mbështetjen për Komandën e Trajnimeve dhe Doktrinës në avancimin e punës së saj profesionale, programit të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve”, tha Ramadani.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama theksoi se kjo ceremoni shënon fillimin e trajnimeve për vitin 2018.

“Motivimi, gatishmëria dhe disiplina për të marrë njohuri të reja duhet të jetë motivi shtesë për arritje të reja individuale. Zhvillimi i FSK-së është në një fazë thelbësore për ardhmen e Republikës e Kosovës. Ju e dini që ky vit është përcaktues për ndryshimet e shumë pritura për transformimin e saj në Forca të Armatosura”, tha ai.

Ndërsa komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi, tha se gjatë vitit 2018, në KDS, do të realizohen 35 kurse me gjithsej 74 gjenerata të kursantëve pjesëmarrës nga të gjitha njësitë e FSK-së /21 Media