Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore - departamenti i Kimisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

FShMN e mban të fshehtë ish-zyrën e Nexhat Dacit që e trashëgoi vajza e tij

Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka refuzuar të sqarojë mënyrën se si ka përfunduar zyra e profesorit të pensionuar, Nexhat Daci, në shfrytëzim nga vajza e tij, profesoresha Majlinda Daci-Ajvazi.

Profesoresha e Departamentit të Kimisë, Majlinda Daci-Ajvazi ka refuzuar të përgjigjet rreth kësaj çështjeje, ndërkohë akademiku Nexhat Daci ka deklaruar se nuk ka ushtruar ndikim që e bija ta shfrytëzojë ish-zyrën e tij.

KALLXO.com ka pranuar një raportim i cili pretendon se në katedrën e Kimisë, në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, është ndarë një zyrë në bazë të nepotizmit.

Kallxuesi ka deklaruar se zyra, e cila i përkiste akademikut dhe ish-profesorit, Nexhat Daci, është trashëguar nga vajza e tij, Majlinda Daci-Ajvazi, e cila mban titullin profesor i asocuar.

Sipas raportuesit, kjo zyrë dallon prej zyrave të profesorëve të tjerë në këtë Departament.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes adresës elektronike dekanin e këtij fakulteti, Tahir Arbneshi, për ta pyetur se si ndahen zyrat e profesorëve të pensionuar për profesorët aktualë dhe për të kërkuar leje që të xhirohet zyra në fjalë.

Por i njëjti e ka larguar përgjegjësinë ndaj kësaj kërkese.

“Ju lutem drejtohuni në Departamentin e Kimisë te shefi Prof. Dr. Ismet Hashani, sepse ai është përgjegjës për departament”, thuhet në përgjigjen e Arbneshit.

Në anën tjetër, shefi i Departamentit të Kimisë, Ismet Hashani ka thënë për KALLXO.com, se zyrat ndahen përmes komisionit të caktuar dhe se nuk lejon që të xhirohet zyra e profesoreshës Daci-Ajvazi.

Ai nuk ka pranuar të tregojë as emrat e personave që kanë qenë në këtë komision.

“Sa i përket përbërjes së komisionit, atë e di i gjithë personeli i Departamentit edhe personi që është ankuar, dhe për mua kjo çështje është e mbyllur”, thuhet në përgjigjen e Hashanit përmes adresës elektronike.

Përmes telefonit, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me profesoreshën Majlinda Daci-Ajvazi, për ta pyetur se si i është ndarë në shfrytëzim ajo zyrë, mirëpo ajo ka refuzuar të tregojë.

“E kam parë email-in tënd edhe nuk kam kurrfarë komenti as përgjigje. Nuk e di kush ua ka dhënë këtë informatë. Kushdo që e ka dhanë atë informatë le të merret, e le t’iu jap sqarime.”, ka thënë profesoresha Daci-Ajvazi.

Në anën tjetër, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Nexhat Daci, ka mohuar të ketë ndikuar në akomodimin e vajzës së tij në zyrën që vetë ai e ka shfrytëzuar kohë më parë.

“Këto çështje nuk janë të miat. Unë jam në Akademi. Hiç për atë punë kurrë as nuk jam përzier, as nuk kam pse, as nuk kam nevojë. I kanë organet e veta, kështu që kjo është e vërteta.”, është shprehur ai përmes telefonit, për KALLXO.com.