Foto-ilustrim

Fshati Banjskë qe Pesë Vjet pa Ujë

Ka pesë vjet që banorët e fshatin Banjskë të Vushtrrisë thonë se kanë probleme me furnizim me ujë.

Gani Hasani, banor i këtij fshati shpjegon për KALLXO.com se gjatë kësaj periudhe vazhdimisht kanë marrë premtime nga Kompania Ujësjellësi Rajonal  “Mitrovica” se problemi i mungesës së ujit do të rregullohet.

“Kemi marrë premtime që pesë vjet, prej 14 prillit 2012. Në muajin shkurt të vitit 2017 e kanë lëshu ujin nja 4 ditë, mo hiq. Na kanë premtu qe pesë vjet pompa të reja, nuk janë. Na fshatarët me buxhet tonin e kena riparu pompën dy herë, ata e kanë riparu një ose dy herë dhe kurrgjë nuk ka pasur sukses”, tregoi Hasani.

Kadri Istrefi, drejtori teknik i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” ka thënë për KALLXO.com se në fillim ka pasur mungesë të ujit në gjithë Vushtrrinë.

“Me futjen në program për rehabilitimin e stacionit të pompave dhe rezervuarëve, në vitin e kaluar furnizimi ka munguar rregullisht për shkak të procedurave të prokurimit, nëpër të cilat duhet të kalohet”, tha Istrefi.

Ai tregoi se tani është faza e ekzekutimit të projektit “Rehabilitimi i Sistemeve Rurale të Ujësjellësit për Fshatrat e Komunës së Vushtrrisë dhe Mitrovicës”, që është donacion nga Qeveria e Zvicrës dhe ajo e Kosovës.

Në kuadër të këtij rehabilitimi sipas Istrefit parashihet riparimi i rezervuareve dhe komplet stacionit të pompave në fshatin Banjskë.

Gani Hasani thotë se vetëm gjatë këtij viti banorët e Banjskës tetë herë kanë biseduar me zyrtarë të ujësjellësit për problemet e furnizimit me ujë.

“Ata na kanë thënë që është shpallur tenderi e për tender na kanë thënë rrafsh qe pesë vjet. Në muajin nëntor të vitit 2016 kemi qenë krejt fshati e na kanë thënë që është shpallur tenderi”, sqaroi Hasani.

Edhe Kadri Istrefi nga ujësjellësi “Mitrovica” ka pranuar që kanë kontaktuar shpesh me banorët e fshatit Banjskë për të sqaruar vonesën e furnizimit me ujë për këtë fshat.

“Me banorët e këtij fshati kemi pasur rregullisht kontakte dhe kemi sqaruar gjendjen dhe shkakun e vonimit për fillimin e rehabilitimit dhe furnizimit të fshatit me ujë. Zgjidhja e propozuar nga departamenti teknik dhe aprovimi nga kryeshefi ekzekutiv është zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate. Kryeshefi vazhdimisht ka bërë presion që të fillohet implementimi i rehabilitimit të stacionit të fshatit Banjskë”, shpjegoi Istrefi.

Por Gani Hasani, banor i Banjskës paralajmëroi  protestë nëse nuk nis furnizimi i rregullt me ujë.

“Na po presim se a po reagojnë ata diçka, se qysh janë fshatarët e indinjuar ne kemi me mbajtë protestë. Ne kemi qenë edhe në polici dhe para tyre na kanë premtu brenda një muaji ujë, por nuk kanë reagu fare. Tash dojmë me shku me bo një protestë të madhe, e jo diçka të vogël qysh kemi shku gjithmonë, e me u ndalë jo, një javë a një muaj”, tha Gani Hasani për KALLXO.com.

Por në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica thonë se furnizimi me ujë i Banjskës ka filluar nga 19 maji dhe banorët nuk kanë nevojë të protestojnë.

Ukshin Keqolli, një banor tjetër i fshatit banjskë thotë se kjo nuk është e vërtetë.

“Kjo është rrenë, ka pas veç dy orë të premten (19 maj) e ma jo, pra prej të premtes nuk ka ujë”, tregoi Keqolli.

Sipas Kadri Istrefit, drejtorit teknik të Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” operatori ekonomik i cili ka fituar tenderin për ekzekutim është duke punuar dhe mbi 60  për qind të punimeve janë kryer.