Fshatarët Ankohen për Mungesat e Doktorëve

Banorët e fshatit Breznicë në Obiliq ankohen se ambulanca në këtë fshat punon me orar të shkurtër e në Qendër të Mjekësisë Familjare në Obiliq po mungojnë doktorët.

Breznica është një ndër fshatrat më të mëdha të komunës së Obiliqit ku ofrohet shërbimi ambulantor me një doktoreshë e një infermiere të cilat punojnë deri në mesditë.

Xhavit Krasniqi, banor i kësaj lagjeje, ankohet se orari i shkurtër në ambulancën e fshatit po ia pamundëson marrjen e kujdesit shëndetësor ndërsa, sipas tij, në QKMF-në në Obiliq doktorët nuk gjenden në punë brenda orarit të caktuar.

“Në Obiliq ankesat janë më të mëdha, e gjithë puna është në drejtori të Obliqit. Atje e kam bërë terminin shoqes te gjinekologia dhe te dentistja. Ajo ka shkuar tre herë dhe tre herë e ka humbur terminin”, tha Krasniqi.

Edhe Fexhrie Krasniqi, që nuk deshi të flasë para kamerës tha se është detyruar të presë gjatë për shërbime gjinekologjike dhe doktoresha nuk ka qenë aty.

Përderisa stafi mjekësor në ambulancën e Breznicës nuk deshi të prononcohet, në QKMF-në e Obiliqit u mohuan akuzat e banorëve të fshatit Breznicë.

Vjollca Hoti, Kryeshefe e QKMF-së në Obiliq, tha se në këtë qendër kanë staf të mjaftueshëm dhe saherë ndodh të mungojnë doktorët, atyre u gjenden zëvendësime.

“Ne i koordinojmë shumë mirë punët. Nuk ndodh ndonjë mjek të mungojë e të mos zëvendësohet automatikisht për arsye se kemi 29 mjekë të profileve të ndryshme . Të gjitha qendrat dhe të gjitha ambulancat e mjekësisë familjare punojnë”, deklaroi Hoti.

Në anën tjetër, Burim Gërguri, Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Shëndetësisë në komunën e Obiliqit tha se nuk ka mundësi që të zgjatet orari për ambulancat nëpër fshatra.

“Mos të harrojmë se jemi duke ofruar shërbim në të gjitha lokalitetet dhe orari dallon mes organizimit që e ka bërë QKMF-ja dhe ambulantat e vogla në këtë rast nëpër fshatra. Kaq janë mundësitë, kishte me qenë mirë të ofrojmë shërbim 24 orësh mirëpo për një fshat është mundësi e vogël”, tha Gërguri.