Hysen Lushaj, i ngujuar në shtëpi për shkak të frikës nga hakmarrja - Foto: KALLXO.com

Frika nga Hakmarrja Lë Katër Fëmijë të Lushajve pa Shkollë

Që nga vrasja e vëllezërve Ramaj, Rexhepit e Bujarit, në Shaptej të Deçanit, më 25 gusht të këtij viti, familja Lushaj është mbyllur në shtëpi.

Për shkak të kësaj ngjarjeje, shkollimin nuk e kanë nisur në shtator as katër fëmijët e familjes. Hysen Lushaj thotë se nga frika prej hakmarrjes nuk po i lë fëmijët të shkojnë në shkollë.

“Prej rastit tragjik me 25 gusht që ka ndodhë, domethënë kur ka fillu viti shkollor me 1 shtator e mas, fëmijët e mi nuk kanë viju mësimin shkollor nga frika e hakmarrjes”, thotë Lushaj.

Vëllai i Hysenit, Salihu dhe djali i këtij të fundit, Durimi, dyshohet se janë autorët e vrasjes së dyfishtë. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Hysen Lushaj tregon po ashtu se katër fëmijët e tij janë të mitur dhe se për shkak të situatës, njërin nuk ka mundur ta regjistrojë në klasën e dhjetë.

Premtimi nga organet komunale se fëmijët do të pajisen me diploma në fund të vitit shkollor, nuk e kënaq atë.

“Fëmijët e mi janë mbetë në mëshirën e Allahut, pa shkollë. Me kanë thanë që ua japin vitin, po unë nuk jam i kënaqur me këtë vit shkollor, kur fëmijët e mi janë jashtë bankave shkollore”, thotë ai.

Lushaj u bën thirrje organeve të drejtësisë që fëmijëve t’u mundësohet të shkojnë në shkollë dhe që për këtë t’u sigurohet siguri.

“Fëmijëve të mi me ju gjetë një zgjidhje me vazhdu procesin mësimor. Me ju ofru siguri fëmijëve të mi, me pasë fëmija e mi siguri me shku në shkollë edhe me vazhdu shkollën sikur krejt fëmija e tjerë”, thotë ai.

KALLXO.com ka shkuar në shtëpinë e familjes Ramaj. Anëtarë të kësaj familjeje nuk deshën të flasin para kamerës, por mohuan të kenë kërkuar që fëmijët e mitur të Lushajve të ndalen nga shkolla.

Sipas tyre, fëmijët janë të pafajshëm, ndërsa të rriturve të Lushajve besë nuk u kanë dhënë.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, tha për KALLXO.com se janë të njoftuar se katër fëmijë  të familjes Lushaj për shkak të frikës nuk po e vijojnë mësimin.

Ai thotë së këta nxënës në fund të vitit do i nënshtrohen provimeve klasore dhe do të vlerësohen.

“Këta fëmijë do të hyjnë në provime të klasës në fund të vitit, duke shpresuar që kjo gjendje nuk do vazhdojë tutje do të vijë deri te pajtimi ose deri te lirimi i këtyre fëmijëve që këta të shkojnë në shkollë. Kështu që këtë vit në një farë forme kam premtu, tuj u bazu edhe në Ligj, se këta fëmijë do t’u nënshtrohen provimeve në klasë edhe do të jenë bashkë me gjeneratën të cilën tash për tash janë duke shkuar në shkollë”, theksoi Maloku për KALLXO.com.

Ndërsa, prokurorja e rastit të vasjes së dyfishtë, Valbona Haxhosaj – Disha, përmes telefonit tha për KALLXO.com se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për sigurimin e fëmijëve të familjes Lushaj.

“Nuk kanë paraqitë kërkesë tek unë si prokurore që janë të rrezikuar, e as që të sigurohen të shkojnë  fëmijët në shkollë”, tha ajo.

Të njëjtën gjë e konfirmuan edhe zyrtarët për informim të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

Zëdhënësi Xhevat Ibraj tha përmes telefonit për KALLXO.com se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për masa të sigurisë për familjen Lushaj.

Vrasja e cila shkaktoi hasmërinë mes familjeve Lushaj e Ramaj ka ndodhur më 25 gusht.

http://kallxo.com/zenka-e-kusherinjve-qe-shkrepi-plumbat-te-fqinjet/