Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Frika e Ambasadorit Amerikan për Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, është deklaruar rreth zhvillimeve të sotme dhe të ditëve të fundit në Kosovë.

Ai tha se java ka nisur mirë me lajmin e fitores së xhudistes Majlinda Kelmendi, por tha se është tepër i zhgënjyer me lotsjellësin e gjuajtur sot në Kuvend.

“Jam thellësisht i zhgënjyer nga fakti se një anëtar i Kuvendit ka zgjedhur ta përdorë dhunën për përfitime politike”, theksoi ambasadori i ShBA-së lidhur me incidentin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, ku deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit të Punëve të Jashtme, i cili po e diskutonte Projektligjin për Marrëveshjen e Demarkacionit, i cili do të nxirret gjatë kësaj jave për ratifikim në Kuvend.

http://kallxo.com/momenti-hedhjes-se-gazit-lotsjelles-ne-kuvend/

Në një ndejë të organizuar nga Ambasada amerikane në Muzeun Etnologjik të Prizrenit, në kuadër të festivalit “Dokufest”, Greg Delawie e cilësoi debatin e zhvilluar një javë më parë për demarkacionin si shembull se si duhet të duket demokracia dhe shtoi se demokracia nuk është me gaz lotsjellës.

“Dhuna politike e shkatërron demokracinë kosovare. Është refuzim i vlerave demokratike evropiane për atë se çka shpreson populli i Kosovës”, tha ai.

Delawie tha se për më keq sot ka dëgjuar edhe për një lëndë shpërthyese në shtëpinë e një zyrtari institucional të Kosovës, duke aluduar në bombën e gjetur te shtëpia e Murat Mehës.

“Frikësohem  se Kosova po e pranon dhunën si mjet për të arritur qëllime politike. Kemi parë ngjarje të tilla në Ballkan shumë herë dhe nuk kanë përfunduar mirë për askënd”, përfundoi ambasadori.

http://kallxo.com/dyshime-per-mjet-shperthyes-te-shtepia-e-murat-mehes/