Frashër Krasniqi

Frashër Krasniqit i Jepet Leja për Regjistrim dhe Seancë të Kuvendit

Krasniqi që gjendet në arrest shtëpiak si i akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar, ka kërkuar dje nga gjyqtari i rastit Beqir Kalludra që ta lejojë të marrë pjesë në seancën e 3 gushtit.

Krasniqi tha për KALLXO.com se sot ka pranuar konfirmimin e kërkesës së tij për t’u liruar përkohësisht nga arresti shtëpiak.

Regjistrimin si deputet Krasniqi do ta bëjë të premten prej orës 10:00.

Në urdhëresën e gjykatës të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Krasniqit i lejohet që më 28 korrik dhe 3 gusht t’i lejohet pjesëmarrja në kuvend.

“Të akuzuarit Frashër Krasniqi i lejohet që me datë 28.07.2017 prej orës 09:00- 15:00 dhe me datë 3 gusht prej orës 08:00 deri në përfundim të mbledhjes, largimi nga vendbanimi i tij për shkak të shkuarjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tu regjistruar si deputet dhe marrës pjesë në seancën parlamentare”, thuhet në urdhëresë.

“Nëse i akuzuari nuk vepron në pajtim me këtë urdhëresë, të njëjtit do t’i caktohet menjëherë masa e paraburgimit”, thuhet në urdhëresën e gjyqtarit Kalludra.

Urdhëresa e gjyqtarit Beqir Kalludra ndaj kërkesës së Frashër Krasniqit.