Gjykimi i ish-inspektorëve | Foto: KALLXO.com

Franga dhe Makina Përmenden në Gjykimin e Inspektorëve

Dy dëshmitarë të ftuar nga mbrojtja e të akuzuarit Skender Canolli u dëgjuan sot në gjykimin e inspektorëve të Komunës së Prishtinës që po akuzohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me ndërtimet pa leje në Prishtinë.

Driton Lajçi tregoi se e njihte të akuzuarin pasi që djali i tij L. Canolli kishte punuar në kompaninë e tij për rreth 5 vjet.

Lajçi tha se me djalin e të akuzuarit Canolli kishin këmbyer veturat e tipit “Passat” ku djali i të akuzuarit obligohej të paguante edhe një shumë të parave për të barazuar vlerën e veturës që do të merrte në këmbim.

“Ne i kemi këmbyer veturat dhe L. Canolli  ka pasw me ma dhanë pjesën tjetër të parave të cilën ji kam zbatuar në rrogë, e gjithashtu një pjesë tjetër të parave ia kam pasur borxh unë për shkak të pagave dhe bonuseve që i takonin atij”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se nuk ka pasur asnjëlloj marrëdhënie kontraktuese me të akuzuarin Skender Canolli.

Mbrojtja e Canollit pretendon se sekuestrimi i veturës “Passat” nga prokuroria nuk ka të bëjë asgjë me të akuzuarin Skender Canolli.

Dëshmitari tjetër i ftuar po ashtu nga mbrojtja e Skender Canollit tha se kishte një marrëdhënie familjare me të akuzuarin.

Hasani tha se me të akuzuarin Canolli kishte komunikuar disa herë teksa njoftoi se në njërën prej këtyre komunikimeve ishte folur për një takim ku do t’i dhuronte të akuzuarit 250 franga që ia kishte dërguar motra e tij nga Zvicra.

“Pasi që Skenderi përkujdesej për prindin dhe axhën e tij, bashkëshortja e babait tim, (motra e Skenderit) më ka porositur që t’ia dërgoj 250 franga Skenderit në formë të ndihmës, por të cilat nuk ka mundur t’ia dhurojë sepse kisha obligime në organizmin e dasmës time dhe paratë janë kthyer prej nga kanë ardhur”, tha dëshmitari Hasani.

Mbrojtja e Canollit me anë të këtij dëshmitari pretendon të argumentojë pretendimin e prokurorisë se këto para mund të kishin çfarëdo lidhje me ryshfet.

Seanca e radhës u caktua për datën 30 gusht.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces gjyqësor.