Fotografitë e veturës së të ndjerit shkaktojnë tensione në gjykimin për vrasje

Seanca gjyqësore në gjykimin për vrasjen e Naim Hajrizit, vrasje kjo e cila ka ndodhur 10 vite më parë, për të cilën akuzohen Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, nuk kaloi pa tensione.

Disa fotografi të veturës së tanimë të ndjerit Naim Hajrizi shkaktuan tensione në mes të familjarëve të të ndjerit dhe avokates Kosovare Kelmendi.

Njëra nga familjaret e të ndjerit reagoi në momentin kur mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Kosovare Kelmendi i kërkoi trupit gjykues që si prova t`i administroj fotografitë e veturës së tashmë të ndjerit, veturë e cila është gjetur pesë vite pasi që është vrarë i ndjeri.

Me qëllim të mbajtjes së rendit dhe qetësisë në sallë, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli e përjashtoi nga salla familjaren e cila reagoi duke ju drejtuar me fjalë të ashpra avokates Kelmendi.

Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtij procesi gjyqësor ndodhin tensione.

https://kallxo.com/fjalosje-ne-gjykimin-per-vrasjen-e-naim-hajrizit/

 

Avokatja Kelmendi tha se qëllimi i propozimit që këto fotografi të administrohen si prova është se ndonëse kjo çështje është diskutuar edhe nga kolegët e tjerë avokatë asnjëherë nuk është sqaruar dhe nuk është kuptuar se si është gjendur vetura në atë vend, nga kush është sjellë apo se si është endur fati i kësaj veture pas vrasjes se tani të ndjerit Naim Hajrizit.

“Fotografitë paraqesin veturën “Ford”, e cila ka qenë pronë e tani të ndjerit Naim në periudhën kritike në ditën që është vrarë dhe është mjaft e dyshimtë vendi ku është gjetur kjo veturë pas pesë viteve e për të cilën unë nuk kam dëgjuar ndonjë sqarim lidhur me këtë veturë. Ku është ky vend dhe pse kjo veturë është gjetur këtu”, është shprehur mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi.

Por, pas propozimit të avokates Kelmendi, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Halim Hajrizi dha sqarime lidhur me veturën e cila shihej në fotografitë që avokatja ia prezantoi trupit gjykues.

“Mbasi është mbyt Naimi e kam marrë kerrin e kam vozitë një kohë shumë të shkurtër dhe e kam shitë. Në 2010 unë e kam shitë”, shpjegoi vëllai i të ndjerit, Halim Hajrizi.

Ndërsa pas sqarimit nga ana e përfaqësuesit të palës së dëmtuar avokatja Kelmendi tha se tërhiqet nga propozimi.

Gjatë kësaj seance gjyqësore është bërë administrimi i provave.

Si provë për administrim, avokatja Kelmendi i propozoj Gjykatës që të administrohej procesverbali mbi marrjen e rrobave nga tanimë i akuzuari Gëzim Ratkoceri.

“Për mua ka qenë relevante që kjo shkresë të administrohet si provë. Në rrethanën se gjatë këtij shqyrtimi kryesor në veçanti gjatë dëgjimit të hetuesve policor, këtu i mbrojturi im Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu vazhdimisht kanë deklaruar dhe madje kanë parashtruar pyetje dëshmitareve se pse nuk është bërë ekzaminimi i provave meqë të njëjtat janë marrë nga të akuzuarit në atë kohë të dyshuarit pavarësisht rezultatit që do të rezultonte nga ekzaminimi i atyre provave”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Lidhur me këtë provë të propozuar nga avokatja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, prokurorja Habibe Salihu fillimisht nuk pati kundërshtime, por më vonë ndërroi mendje.

Por edhe përkundër kundërshtimit të prokurores speciale, trupi gjykues në krye me gjykatësin Vesel Ismajli vendosi ta aprovoj propozimin e avokates Kosovare Kelmendi.

Më pas avokatja Kelmendi pati vërejtje edhe në raportin e vendit të ngjarjes të datës 6 maj 2009, raport ky i përpiluar nga hetuesit policor, me arsyetimin se sipas avokates procesverbali i asaj date ngjanë në procesverbalin e kontrollit dhe bastisjes e jo të vendit të ngjarjes.

Më tej avokatja Kelmendi tha se e kundërshton edhe ekspertizën mbi marrjen e ADN-së sepse sipas saj ekspertizat janë bërë nga hetuesit policor dhe jo nga krim teknika.

“Në po të dy ekspertizat edhe atë të vitit 2009 dhe atë të vitit 2014 mostrat e dorëzuara janë dorëzuar nga hetuesit si dhe me rastin e dëgjimit të ekspertit rezulton se të gjitha provat të cilat janë dorëzuar për analiza të gjitha janë bërë nga hetuesit e jo krim teknika, e cila është ajo që i mbledhë provat dhe i dorëzon përpos kësaj nga kjo ekspertizë vërtetohet se mostrat respektivisht provat e dërguara më laborator janë dërguar një javë pas kontrollit bastisjes apo ekzaminimit të autoservisit “Cali”, respektivisht 11 ditë pas vrasjes të tanimë të ndjerit Naim Hajrizi pra 08.05.2009”, deklaroi avokatja Kosovare Kelmendi.

Pasi që palët nuk patën propozime të reja lidhur me administrimin e provave, seanca e sotme u shty për ditën e nesërme me ç ‘rast pritet që të akuzuarit ta japin mbrojtjen.

Vlen të theksohet se gjatë kësaj seance gjyqësore në mungesë të prokurores së rastit Fikrije Fejzullahu, prezantoi prokurorja Habibe Salihu e cila i kërkoi trupit gjykues që dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve ta shtyje për seancën e radhës ku do të jetë e pranishme edhe vetë prokurorja e rastit.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Spahiu dhe Retkoceri në korrik të vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.