FOTOGALERI - Protestohet për vrasjen e të miturit nga Fushë Kosova

Aktivistë, qytetarë, shoqëri civile dhe deputetë janë mbledhur bashkë për të protestuar në kërkim të drejtësisë për 11 vjeçarin i cilin u gjet i vdekur në Fushë-Kosovë javën e kaluar.

Më pankartat ‘Polici Raciste’ ‘Kush me na mbrojtë’ ‘Më mbroj nga dhunimi’ ‘Racizmi Vret’ kanë marshuar nga rruga ‘Mashari’ në drejtim të stacionit policor në Fushë-Kosovë.

Aktivistja Lora Gashi akuzoi Policinë së më rastin e fundit kanë dëshmuar së të qenurit e një etnie jo shumicë mund të kushtojë me jetë.
“Shteti po dështon mi mbrojt qytetarët e vetë. Rasti i përdhunimit dhe vrasjes së fëmijës është një ngjarje e tmerrshme që po na i përplasë për fytyrë racizmin e normalizim në shoqërinë tonë. Për këta, institucionet kanë faj, tu ia nis prej shkollave e deri tek Policia e Prokuroria që po tregojnë që disa jetë vlejnë më pak e që përdhunimet nuk merren hic seriozisht. Ky rast i raportuar shumë herë për shkak të injorimit dhe diskriminimi përfundoi në tragjedi kolektive. Prindërit e viktimës kanë raportuar, prapë e prapë, brenda 4 muajve që fëmija i tyre po dhunohet seksualisht. Janari shkoj, shkurti eci, marsi kaloi dhe deri në prill Policia diskriminuese e Kosovës nuk dërgoi asnjë dokument në prokurori dhe nuk mori asnjë veprim për mbrojtjen e 12 vjecarit”, u shpreh ajo.

Ajo ka paralajmëruar protestë për të martën më datë 23 korrik duke filluar nga ora 12  para Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të kërkuar llogari dhe drejtësi nga ky institucion.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Të enjtën, KALLXO.com raportoi së disa aktivistë kanë organizuar një aksion simbolik para stacionit policor në Fushë-Kosovë për këtë rast.

Një fëmijë është gjetur i vdekur në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ në Fushë-Kosovë në orën 17:30 më datë 11 korrik.  

Lidhur më rastin është arrestuar një i dyshuar i cili dyshohet së e ka dhunuar viktimën disa herë.

Si ndodhi rasti?

Më 29 janar babai i të dyshuarit S.O ka raportuar në polici se djali i tij ka abuzuar seksualisht në nëntor djalin 11 vjeç.

Me të marrë informacionin policia kishte filluar menjëherë procedurat e intervistimit të personave të përfshirë  në këtë rast.

Pas këtij raportimi policia kishte intervistuar edhe nënën e viktimës.

Sipas kallëzimit penal, nëna e 11 vjeçarit nuk kishte dëshiruar që lajmi të raportohej në polici paraprakisht por kishte kërkuar nga babai i të dyshuarit që ky i fundit të qëndronte larg fëmijëve të saj.

I dyshuari për policinë kishte qenë i njohur edhe për shumë vepra të tjera penale.

Pas kërkimit të të dyshuarit në shumë lokacione më 4 prill, policia kishte arritur ta arrestonte atë.

Me deklaratat e dëshmitarëve policia kishte kërkuar nga prokuroria që të dinte për masën që do t’i vendoste prokurori kujdestar.

Ky i fundit edhe përkundër dëshmive kishte vendosur që i dyshuari S.O të lirohej në procedurë të rregullt si dhe nuk kishte lejuar ekzaminimin mjeko- ligjor të fëmijës i cili dyshohej se ishte dhunuar seksualisht.

Policia, të njëjtit më 12 prill në një dosje disa faqesh i kishin përshkruar të gjitha dëshmitë relevante të rastit e më pas në formë të kallëzimit penal  të njëjtin e kishin dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku këta te fundit dosjen e kishin pranuar tri ditë më pas, më 15 prill.

Policia që nga ajo kohë nuk kishte pranuar asnjë informacion apo veprim për rastin i cili tashmë kishte kaluar në prokurori.

Disa muaj më vonë, më saktësisht më 11 korrik, 11 vjeçari ishte gjetur i vdekur pranë disa shkallëve të një ndërtese në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë.

Nëna e viktimës kishte deklaruar në polici se djali i fqinjëve i kishte dhunuar djalin e saj 11 vjeçar tashmë i vdekur.

I dyshuari ishte ende i lirë

Më 11 korrik, KALLXO.com ka raportuar se një i mitur ishte gjetur i shtrirë në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë.

Vdekjen e 11 vjeçarit e kishte konfirmuar në vendin e ngjarjes edhe ekipi mjekësor.

Vdekja sipas policisë në fillim u cilësua si vdekje e dyshimtë.

Vetëm pak ditë më pas Policia njoftoi se kishte arrestuar një të dyshuar në lidhje me këtë rast.

S.O ishte i cili dyshohej se kishte dhunuar seksualisht të miturin po dyshohej edhe për vrasje të rëndë të po të njëjtit.

Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës i caktoi masën e paraburgimit të dyshuarit S.O.