FOTO: Skenderaj, 'shembet' një pjesë e stadiumit të përuruar para 6 muajve

Një pjesë e fushës së futbollit në Skenderaj është “shembur” rreth 6 muaj pas përurimit të tij.

Stadiumi ndihmës i futbollit është përuruar në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Projekti kishte kushtuar 450 mijë euro dhe është bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UEFA.

Por, ky stadium ndihmës tani është pothuajse i papërdorshëm, pasi një pjesë e fushës ka “fjetur” dhe është e pamundur të zhvillohen në mënyrë normale veprimtaritë për të cilat është i destinuar.

KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve nga Komuna e Skenderajt rreth këtij rasti.

Më 29 nëntor të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për përurimin e këtij stadiumi ndihmës.

Skenderaj bëhet me stadium ndihmës

Në këtë përurim të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Është një stadium, i cili i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret, po flasim për fushën të nivelit të standardeve të Europës. Është hera e parë që një terren i tillë gjendet në Ballkan, jo vetëm në Kosovë por në Ballkan, është diçka e re që po ndodhë dhe është një teknologji e re e këtij bari. Prandaj, besoj që nuk do të ketë më probleme për futbollistët siç janë të njohura nyjave, por është thuajse sikurse të jetë terren natyral. Është i kushtueshëm, normalisht më i kushtueshëm se krejt tjerë dhe kostoja e tij diku është rreth 450-60 mijë euro,” ishte shprehur Ademi.

KALLXO.com ka siguruar fotografi që tregojnë gjendjen aktuale të stadiumit.