Dyqane të mbyllura në Mitrovicën Veriore - Foto: KALLXO.com

FOTO: Serbët e veriut vazhdojnë me ‘krizën humanitare’

Banorët serbë të katër komunave në veri të Kosovës po vazhdojnë me të ashtuquajturën “krizë humanitare”.

Zbatimi i planit për ta paraqitur situatën si “krizë humanitare” ka filluar nga dita e djeshme ndërsa ka vazhduar edhe sot në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Nga fotografitë dhe video të dërguara në KALLXO.com shihen dyqane të mbyllura, duke filluar prej Lagjes së Boshnjakëve, ku asnjë dyqan me pronar serb nuk është i hapur.

Të gjitha bizneset atje janë mbyllur.

Nuk janë hapur as edhe furrat e bukës, kurse edhe qarkullimi i qytetarëve nëpër rrugët e Mitrovicës së Veriut është shumë i paktë.

Të mbyllura janë edhe bizneset e tjera, përfshirë edhe kafenetë në sheshin në pjesën veriore të qytetit.

Pothuajse gjithçka në veriun e Mitrovicës është jofunksionale.

Ky plan për të paraqitur gjendjen si “krizë humanitare” vjen si reagim i mosheqjes së taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.