FOTO: Punimet e Ministrisë së Pal Lekajt shkaktojnë kaos në Prishtinë

Punimet për zgjerimin e rrugës në lagjen Veternik, e cila ndodhet në hyrje të Prishtinës, ka shkaktuar tollovi e kolona të pafundme në komunikacion.

Gjendja në komunikacion shihet se është rënduar pasditen e sotme në hyrje dhe në dalje të Prishtinës.

Këto janë pamjet e dërguara nga qytetarët në adresë të KALLXO.com.

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar dje se sot do të lëshohet në funksion rruga ndihmëse në hyrje të Prishtinës nga ana e Veternikut.

Ministria ka njoftuar të gjithë pjesëmarrësit në trafikut rrugor se rruga lëshohet në funksion sot nga ora 12:00.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, njofton të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor se nga nesër prej orës 12:00, lëshohet në funksion rruga ndihmëse (Rreth rrotullimi ndihmës për qarkullim normal të trafikut), që do të përdoret deri në përfundimin e punimeve në zgjerimin e rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

KALLXO.com kishte raportuar ditë më parë për punimet në rrugën në Veternik.

Pas 10 ditëve  vonesë, me datën 10 korrik kanë filluar punimet për zgjerimin në hyrje të Prishtinës, bashkë me urën që lidh autostradën ‘Ibrahim Rugova’.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj e konsideroi këtë projekt të vonuar, por që theksoi se projekti do të përfundon për 155 ditë pune.

“Kërkoj nga kompania që më përpikëri të implementojë projektin dhe të jetë në kohë. Koha e projektit është 155 ditë pune dhe plus 30 ditë shtesë punë, por do të jemi të vëmendshëm dhe do ta monitorojmë së afërmi pasi që është në hyrje të Prishtinës edhe e do koha edhe qytetarët’, tha ai.

Lekaj në konferencën për media kishte dhënë detajet e këtij projekti.

“Gjatësia e rrugës është diku 2 kilometra sepse është rreth dhe zgjerimi do të jetë më dy korsi dhe do të prishet ura atje dhe do të ketë urë të re me standard çfarë e kërkon dendësia e automjeteve”, ka thënë Lekaj.

Kompania kontraktuese është ‘Eskavatori Company Sh.P.K” nga Ferizaj dhe vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2.504.150,82 euro.

Kujtojmë së më 18 prill 2017 kishte nisur zgjerimi i rrugës Prishtinë – Veternik.

Por që pas dy viteve ende nuk është përfunduar për se pas reshjeve të shiut ishte shembur dheu dhe ishte dëmtuar edhe muri mbrojtës.

Ministri Lekaj në konferencë ka thënë se, “Punimet në Veternik, e kemi stërzgjatur e pranoj, sepse projekti nuk ka qenë nivel çfarë është kërkuar por ne kemi bërë rivendimin dhe kompania është duke punuar dhe mendoj që deri në shtator do të kryhet po ashtu do të fillojmë edhe rrugën A”, ka thënë Lekaj.

https://kallxo.com/ministria-dhe-komuna-nuk-e-dine-se-kur-do-te-perfundoje-rruga-ne-veternik/