FOTO- Nxirren trupat e tre personave të vrarë sot në “Dardani”

Ekipet e forenzikës i kanë nxjerrë trupat e tri viktimave nga kati i nëntë i ndërtesës ku ndodhi ngjarja e rënd sot në lagjen “Dardania” në kryeqytet.

Ndërkohë, Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës në një deklarim për media nga vendi i ngjarjes ku mbetën të vrarë tre persona, tha se personi që ka kryer veprën ka qenë me probleme psikike.

“Personi që ka bërë këtë vepër ka qenë me probleme psikike ose me probleme mendore, sepse sipas djalit të tij ai shpesh herë ka qenë nën kontrolle të psikiatrisë”, tha Beka para gazetarëve.

Në momentin kur ndodhi rasti tragjik, kishte qenë edhe një fëmijë i djalit të burrit që kreu vrasjen. Sipas Kryeprokurorit Beka, fëmija tashmë është nën përkujdesjen e prindit të vet.

“Fëmiju është marr nga prindi, babi, dhe është quar në vend të sigurt te familjaret e tjerë”, tha ai.

Sipas tij, ende është herët të flitet për motivet e vrasjes, ndërsa njoftoi se prokurori i rastit është Armend Hamiti.

Ndërsa, gjatë ditës Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja rreth rastit tragjik që ndodhi sot në një banesë në sheshin “Bill Clinton” të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha nga vendi i ngjarjes se rreth orës 13:20 kanë pranuar një informacion për një vrasje të dyshimtë këtu në lagjen Dardania.

“Pastaj e kemi vertetuar se bëhet fjalë për një vrasje të rëndë dhe një vetëvrasje. Policia ka njoftuar të gjitha agjencitë kompetente për të dalë në vendin e ngjarjes, përfshirë Mjeksinë ligjore dhe Forenzikën”, theksoi Kelani në një konferencë për media.

Viktimat, sipas zëdhënësit të Policisë, janë një burrë i lindur më 1958, një grua e lindur më 1959 dhe një vajzë e lindur më 1991.

Tre persona janë vrarë në një incident që ka ndodhur rreth orës 13:20.

Të tjera detaje rreth rastit tragjik mund t’i gjeni KËTU.