Ekspozita për Skënderbeun - Foto: KALLXO.com

Foto-Galeri: Ekspozitë me Imazhe të Vjetra të Skënderbeut

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita me paraqitjet grafike të Skënderbeut nga vitet 1920 dhe librave të shekullit XVII.

Skender Boshtrakaj, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, tregoi për KALLXO.com se ekspozita e paraqet një kalendar të thjeshtëzuar të jetës së Skënderbeut, që sipas tij shërben për ta krijuar një përshtypje për rrugëtimin e heroit kombëtar.

“Këtu mund të shihet një hartë e pjesshme e botës ku paraqitet figura e Skënderbeut, dy grafika emblematike të fillimshekullit XX, të cilat e kanë shëtitur Europën e asaj kohe me dy imazhe fantastike”, shtoi ai.

“Kemi një pjesë të librave të 1600-tave, kemi pulla postare të cilat e kanë përdorur imazhin e Skënderbeut, po ashtu edhe disa monedha”, tha Boshtrakaj.

Ai i ftoi qytetarët që ta vizitojnë ekspozitën por edhe të hapin tema dhe dilema në lidhje me historinë dhe historiografinë e shqiptarëve apo edhe për të ardhmen politike të tyre.

KALLXO.com mëson se artefaktet e paraqitura janë pjesë e koleksionit personal të koleksionuesit Ilir Xheladini.

Kjo ekspozitë mbahet në oborrin përballë Muzeut të Kosovës, i njohur si Lapidariumi i Muzeut të Kosovës ndërsa planifikohet të qëndrojë e hapur deri më 24 janar.