Diga mes fshatit Ramun e Poçestë, Pejë. Foto: Kallxo.com

FOTO - Diga e Lumit në Pejë Çahet Ende pa Përfunduar

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com për dëmtimin e murit të digës se re të ndërtuar mes fshatrave Ramun dhe Poçestë të Pejës.

Ende pa përfunduar të gjitha punimet e ndërtimit të digës në lumin “Lumbardh” të Pejës, mes fshatrave Ramun dhe Poçestë, një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se një pjesë e murit të kësaj dige është dëmtuar.

Ekipi i KALLXO.com në vendin e ngjarjes ka parë nga afër digën e re të ndërtuar në lumin mes fshatrave Ramun dhe Poçestëku vërehen plasaritjet e murit mbrojtës në disa pjesë.

Zyrtarët komunalë të Pejës kanë bërë të ditur se punimet në digë ende nuk kanë përfunduar dhe se të gjitha dëmet do riparohen.

Diga e çarë mes fshatit Ramun e Poçestë, Pejë. Foto e dërguar në Kallxo.com

Drejtori aktual i Bujqësisë në Komunën e Pejës, Mehdi Mulaj, tha për KALLXO.com se ende nuk kanë përfunduar punimet në digë. Ai tha se të gjitha dëmet do mënjanohen nga punëkryesi.

“Punimet ende nuk kanë përfunduar në digë (pendë). Ekipi mbikëqyrës i punimeve po sheh nga afër punët e dhe do kërkojë nga punëkryesi mënjanimin e të gjitha dëmeve eventuale”, tha Mulaj për KALLXO.com.

Drejtori i bujqësisë bëri të ditur se ndërtimi kësaj dige kap vlerën e rreth 150 mijë eurove.