FOTO: Bilanci i dëmeve nga erërat e forta, një i lënduar në Prishtinë
Erërat e forta me të cilat u përball pjesa më e madhe e Kosovës kanë shkaktuar dëme materiale.
Më i prekuri duket të jetë kryeqyteti – Prishtina.
Lidhur me dëmet eventuale nga erërat e forta KALLXO.com ka kontaktuar drejtoritë e komunave për shërbime publik, mbrojtje dhe shpëtim.
Fatmir Bilalli, nga Drejtoria për Emergjenca në Prishtinë, tha për KALLXO.com se përveç dëmeve materiale është regjistruar edhe rasti i një qytetari që është lënduar.
“Pas përfshirjes së një furtune të fortë në komunën e Prishtinës, ne menjëherë kemi dalë në terren. Pas marrjes së informacioneve në numrat emergjent nga qytetarët të cilat kanë raportuar menjëherë kemi dalë nëpër vendet të cilat janë raportuar. Kemi dalë me kompanitë komunale, me kompanitë e pastrimit dhe zjarrfikëseve”, tha Bilalli.
Ai shtoi se ka pasur raportime për përfshirje nga zjarri të fushave, për dru të rrëzuar, gjësende që kanë rënë nga kulmet e shtëpive, kulme të rrëzuara dhe shtylla elektrike të dëmtuara.
“Zjarre fushore kemi pasur në Fushë-Kosovë, Uglar, Matiqan, në rrugën “Muharrem Fejza”, në Vetërnik mbrapa Grand Store, ku një shtëpi është përfshirë nga zjarri”, tha ai.
“Raportime për dru të rrëzuar kemi pasur në rrugën “Luan Haradinaj”, “Dardania” në park, rruga “Shpëtim Robaj”, Bërnicë, rruga “Agim Ramadani” afër Fakultetit Teknik, rruga “Fehmi Lladrovci” te Bregu i diellit, rruga “Bajram Bahtiri afër Qendrës së Mjekësisë Familjare”, shtoi tutje Bilalli.
Drejtori i Emergjencave tregoi edhe për gjësendet të cilat kanë rënë nga kulmet e shtëpive.
“Gjësendet që kanë rënë nga kulmet janë në Dardani afër bibliotekës “Hivzi Sylejmani” ku kemi pasur thyerje të dritareve dhe një person është lënduar, në rrugën Ulpianë te soliteri gjithashtu te rruga ‘Garibaldi’ ka rënë një pjesë e fasadës”, tha ai.
Sipas Bilallit, sa i përket kulmeve të shtëpive është raportuar vetëm një rast në Kolovicë të Re ndërsa një shtyllë elektrike është dëmtuar dhe është rrezik për të rënë por shumë shpejt do të intervenohet në këtë rast pasi që janë njoftuar njësitet e KEDS-it.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë në lidhje me dëmet e shkaktuara nga erërat e forta.
Kryetari Xhafer Tahiri i tha KALLXO.com se është raportuar vetëm për një rast.
“E kemi vetëm një rast, një dru është rrëzuar në një rrugë në fshatin Dubovc. Rruga është bllokuar për disa minuta deri në largimin e drurit dhe pastaj është liruar rruga”, tha Tahiri.
Në Gjilan sipas zëdhënësit të Komunës, Ibrahim Ademi, ende nuk është raportuar për dëme nga erërat e forta.
Nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulëzim Blakaj ka thënë për KALLXO.com se fshatrat Vrellë, Dubravë, Rakosh kanë probleme me energji elektrike.
“Nga erërat e forta ka prishje të largpërçuesve të energjisë elektrike. Fshatrat Dubravë, Vrellë, Rakosh kanë probleme me tension të ulët të energjisë elektrike në disa vende edhe nuk ka rrymë. As Istogu 2 nuk ka rrymë, por është duke u punuar intensivisht për të rregulluar problemet”, tha Blakaj për KALLXO.com
KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Sumën i cili tha se nuk janë lajmëruar probleme apo dëme nga erërat e forta.
Naser Muja, drejtori i Shërbimeve Publike në Mitrovicë i tha KALLXO.com se nuk ka pasur raportime nga qytetarët për dëme.
Më poshtë sjellim fotografi nga dëmet e shkaktuara nga erërat e forta: