foto ilustrim

Forum 2015 Sot Diskuton për “Çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë”

Forum 2015 sot në një tryezë pritet të shpalosë problemet dhe ofron qasje konstruktive për zgjidhjen e tyre, në shtyllat kryesore të zhvillimit të një shoqërie: ekonomi, shëndetesi dhe arsim.

Gjatë këtij forumi, ekspertët e këtyre lëmive do të prezentojnë masa urgjente që duhet të ndërmirren nga politikëbërësit për përmirësimin e kësaj situate.  Për të diskutuar rreth këtyre problemeve, në forumin I cili do të mabhet sot në Prishtinë do të flasin: Valdrin Lluka – Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Uran Ismaili – Ministër i Shëndetësisë, Dukagjin Pupovci – Qendra për Arsim e Kosovës, Besa Shahini – Analiste e Politikave Arsimore dhe Alban Hashani – Instituti Riinvest.

Disa të dhëna të publikuara së fundmi sipas “Forum 2015”, tregojnë se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet gjatë gjithë dekadës së fundit, por nuk ka qenë e qëndrueshme dhe as afër nivelit të domosdoshëm. Ndonëse e përmirësuar nga 1.2% në vitin 2014 (2-3% në vitet paraprake) në rreth 4%  në dy vitet e fundit dhe në gjysmën e parë të këtij viti, ende nuk ka arritur nivelin e domosdoshëm për të adresuar me sukses dhe në mënyrë të qëndrueshme papunësinë dhe diferencat në zhvillim me pjesën tjetër të Evropës. Duket se modeli i deritashëm i zhvillimit nuk mund te gjenerojë një rritje ekonomike që i nevojitet Kosovës në këtë moment.

Në dhjetor 2016, OECD publikoi rezultatet e Programit 2015 për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA). Kosova performoi tmerrësisht dobët: afër 80 përqind e 15 vjeçarëve të Kosovës doli të jenë analfabetë funksional. Aftësitë themelore që PISA vlerëson nuk janë të vetmet aftësi që duhet të ofrojë sistemi arsimor. Megjithatë, ato janë aftësi kyçe që duhet t’i ketë secili nxënës për të siguruar një shkollim efikas dhe të qëndrueshëm. Kjo vlen edhe nëse arsimi shikohet nga një prizmë më e ngushtë, në funksion të ekonomisë dhe tregut të punës. Një raport i kohëve të fundit i Bankës Botërore mbi “të mësuarit” shpjegon se “aftësitë që kërkohen nga ata që mbarojnë shkollat, në tregjet e punës janë shumëdimensionale, prandaj shkollat duhet t’i përgatisin studentët që të jenë të aftë për t’iu përgjigj sfidave edukative që shkojnë shumë më përtej leximit, shkrimit dhe matematikës elementare.

Në anën tjetër, gjendja në shëndetësinë kosovare mbetet kritike përgjatë tërë periudhës së pasluftës. Niveli i ulët i zhvillimit të sektorit të shëndetësisë reflektohet në rezultate alarmante për sa i përket shëndetit publik në Kosovë. Sa për ilustrim, jetëgjatësia e kosovarëve është rreth 5 vjet më e ulët se në vendet fqinje dhe 10 vjet më e ulët se në vendet e Bashkimit Evropian. Mungesa e qasjes serioze ndaj sektorit shëndetësor ka ndikuar që ky sektor, me rëndësi primare, të degradohet me përmasa shqetësuese.