Ilustrim

Rezultatet e metodës së re të gjobave, 148 shoferë u dënuan për 8 orë

Policia në rajonin e Prishtinës ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së stome kanë shqiptuar 148 gjoba për parkime ilegale në Prishtinë.

Sipas njoftimit nga ana e policisë, gjobat janë shqiptuar në kuadër të planit operativ i cili ka paraparë lirimin e trotuareve nga parkimet e ndaluara.

“Që nga fillimi i implementimit deri në ora 15:00, janë shqiptuar 148 gjoba për parkime ilegale, kryesisht në qendër të qytetit. Plani operativ  është duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia ka bërë apel tek të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të zbatojnë me përpikëri normat dhe rregullat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

KALLXO.com sot në mëngjes ka raportuar për formë të re të gjobitjes së kundërvajtësve të cilët parkojnë veturat e tyre në vende të ndaluara për parking.

“Të gjitha veturat që do të hasen të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, do të kenë njoftimin zyrtar për paraqitje të obligueshme në stacion policor, ku palës do t’i shqiptohet gjobë për kundërvajtje. (formën zyrtare, të nxjerrë nga Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor)”, thuhet në njoftimin e policisë.