Mathew Palmer FOTO: VOA

Foreign Policy: SHBA planifikon të emërojë emisar special për Ballkanin

Qeveria Amerikane planifikon që ta emërojë Matthew Palmer si të dërguar special për të punuar në rikthimin e dialogut tashmë të ndërprerë mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Foreign Policy.

Aktualisht Palmer mban postin e Zëvendës Ndihmësit të Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar pasi që Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksën prej 100% ndaj produkteve serbe.

Pala serbe kishte vënë kusht heqjen e taksës, në mënyrë që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve.

“Matthew Palmer, një diplomat i karrierës me përvojë në Ballkan, me gjasë do të emërohet si i dërguar i ri special, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve që e njohin këtë çështje. Emërimi i tij i pritshëm përfaqëson shtysën e fundit të Shteteve të Bashkuara për të adresuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dy dekada pasi një konflikt i armatosur nxiti ndërhyrjen e NATO-s dhe çoi në ndarjen e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj nga Serbia”, shkruan Foreign Policy në artikullin e publikuar gjatë ditës së sotme.

Gazeta shkruan se për disa ekspertë, emërimi i parashikuar i Palmer është një zhvillim i mirëpritur në një rajon shpesh të lënë anash nga politikëbërësit kryesorë të Uashingtonit, së paku që nga përpjekjet intensive të bëra për t’i ndaluar konfliktet vdekjeprurëse të viteve 1990″, shkruan Foreign Policy.