Fondi për të Drejtën Humanitare reagon për darkën Micula-Koci

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë duke komentuar darkën ndërmjet Vladimir Micula, gjyqtar në Gjykatën Speciale dhe Monitorues i Sistemit të Drejtësisë në EULEX dhe avokatit Arianit Koci.

Amer Alija nga FDHK ka vlerësuar se kur një gjykatës shihet në një darkë me një avokat, si në rastin Micula- Koci, ai duhet të ruaj besimin ndaj publikut dhe palëve.

“Edhe sikur të ishte një darkë shoqërore apo rastësore, gjyqtari me sjelljet e tij jashtë gjykatës duhet të ruan dhe të avancon besimin e publikut dhe palëve në paanshmërinë e tij dhe gjyqësorit në përgjithësi” ka thënë Amer Alija nga FDHK për KALLXO.com.

Sipas Alijajt, një gjykatës mund të dalë në aktivitete shoqërore, por ai duhet t’i shmanget çdo aktiviteti që mund të ndikoj negativisht në paanshmërinë e tij apo që mund ta pengojë në kryerjen e funksionit të tij si gjyqtar.

“Ky veprim nuk duhet ta vë në dyshim paanshmërinë e Gjykatës” ka thënë Alijaj.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, edhe në të kaluarën ka pasur raste kur gjyqtarët ndërkombëtar janë parë në takime të tilla të cilat e kanë dëmtuar integritetin ndaj gjyqtarëve ndërkombëtar dhe kanë ndikuar që të ulet besimi në gjykatat ndërkombëtare.

KALLXO.com të hënën mbrëma raportoi për një darkë ndërmjet gjykatësit të Gjykatës Speciale dhe Monitoruesit te Drejtësisë, Micula dhe Arianit Koci, avokatit të Sami Lushtakut, i intervistuar nga Specialja në fillim të këtij viti.

KALLXO.com raportoi se natën e së hënës në njërin prej restoranteve të Prishtinës u panë duke darkuar gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula dhe avokati Arianit Koci.

Në anën tjetër, në një përgjigje për KALLXO.com nga zyra për medie e EULEX-it thuhej se Vladimir Mikula aktualisht mban pozitën e Monitoruesit për Drejtësi në këtë Mision.

“Vladimir Mikula aktualisht është Monitorues për Drejtësi që shërben në EULEX”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Tutje, misioni i ELUEX-it shpjegon se Vladimir Mikula nuk mbanë ndonjë funksion ekzekutiv.

“Në përputhje me mandatin e tanishëm të EULEX-it nuk e mban asnjë funksion ekzekutiv gjykimi”, thuhet tutje në përgjigje.

Gjatë ditës së djeshme, zëdhënësja e Tribunalit, Angela Griep ka konfirmuar se kryetarja e Gjykatës Speciale është duke u marrë seriozisht me rastin.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dëshirojnë t’ju informojnë se çështja do të trajtohet me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, sipas rastit” ka thënë Griep për KALLXO.com

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka refuzuar të komentoj darkën ndërmjet Monitoruesit të Drejtësisë misionin e EULEX-it, Vladimir Micula dhe avokatit Arianit Koci.

Në një përgjigje për KALLXO.com zyra për medie e BE-së në Kosovë ka rekomanduar që t’i drejtohemi EULEX dhe Gjykatës Speciale.

Koci, që është edhe avokat i Sami Lushtakut që së fundmi u intervista nga Gjykata Speciale në Hagë të Holandës ka dhënë sqarimin për darkën e mbrëmshme ku i pranishëm ishte edhe gjykatësi në listën e pritjes së Gjykatës Speciale dhe gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula.

Avokati Koci ka thënë shkurt për KALLXO.com se kishte dalur në një vend publik me gruan e tij dhe shoqet e saja, ndërsa nuk e kishte ditur se në tavolinën e darkës do të ishte edhe gjykatësi Mikula.

“Është dashur të më pyetni për koment para se ta publikonit tekstin, dhe e kishit kuptuar që kam dalur në një vend publik, në qendër të Prishtinës, me bashkëshorten time dhe shoqet dhe trajnerin e saj”, ka shpjeguar Koci.

Pa u mbushur 24 orë nga raportimi i KALLXO.com për takimin e dyshimtë të Avokatit të Sami Lushtakut me gjykatësin e Gjykatës Speciale Vladimir Micula tribunali kishte nisur trajtimin e rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësja e tribunalit Angela Griep ka konfirmuar se kryetarja e Gjykatës Speciale është duke u marrë seriozisht me rastin